E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonohen me 11 ditë pagat e mësuesve

Punonjësit e të gjitha sistemeve arsimore në shkallë rrethi në Fier, prej 11 ditësh nuk po tërheqin dot pagat e tyre. Bëhet fjalë për pagën e muajit dhjetor të vitit që u mbyll, e cila duhej shpërndarë më 1 janar. Ndërsa arsimtarët shprehen të alarmuar për këtë vonesë të pagës, prej drejtorisë arsimore deklarohet se janë njësitë e qeverisjes vendore shkaktare të problemeve. "Kemi shkuar që në fund të muajit dhjetor pranë bankomatit dhe nuk na kanë hedhur pagat. Kemi kërkuar sqarime nga drejtoria arsimore dhe aty na thonë se paratë do t‘i marrim, por nuk na thonë se kur", thotë Gentian Nuraj, mësues në Fier. "Në bashki na kanë thënë se i kanë dërguar në thesar pagat, ndërsa në bankë nga thonë se paratë nuk janë derdhur ende", thotë mësuesja Olketa Rama. Ndërkohë, në Drejtorinë Rajonale Arsimore të Fierit, kreu i departamentit të burimeve njerëzore, Ilir Lugaj, thotë se janë njësitë e qeverisjes vendore ato që kanë zvarritur procedurat e dorëzimit të dokumentacionit përkatës për pagën e mësuesve. Ai thotë gjithashtu se "stafi prej tre punonjësish që ka aktualisht departamenti i financës në drejtorinë arsimore nuk e përballon fluksin e madh të arsimtarëve". Ndërsa institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës, mësuesit paraqiten çdo ditë nëpër banka, me shpresën se do të tërheqin pagat e tyre të vogla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›