Përdhunimi, i akuzuari u ofron para viktimave: Mbyllni gojën
Një ditë pas arrestimit të një 40-vjeçari të akuzuar për përdhunim, familjes së vajzës së dhunuar i janë ofruar para për të tërhequr denoncimin. Fakti bëhet i ditur nga burime të grupit të hetimit, që është ngritur për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Seman të Fierit. Ekspertët mjekoligjorë kanë vërtetuar se vajza 15 vjeçe, M.Çuçi është përdhunuar, ndërkohë që do të duhen të tjera ekzaminime, për të thënë përfundimisht nëse autor i përdhunimit është i arrestuari Vasil Kane.
"Oferta"
Një oficer i policisë gjyqësore, që po merret me çështjen, deklaroi dje për gazetën "Shqip" se "disa të afërm të të arrestuarit Vasil Kane, kanë shkuar në shtëpinë e Pelivan Çuçit, babait të vajzës së përdhunuar, dhe i kanë kërkuar të tërheqë denoncimin". Oficeri i policisë gjyqësore tha gjithashtu, se Pelivanit i është ofruar një shumë prej 150 mijë lekësh, për ta mbyllur këtë çështje, por oferta nuk është pranuar.
Akuza
Pelivan dhe Manushaqe Çuçi, prindërit e vajzës së përdhunuar, janë paraqitur edhe dje në polici, për të dhënë detaje të tjera për akuzën e ngritur prej tyre ndaj dyqanxhiut të fshatit, Vasil Kane. Nëna e vajzës, tregon se ishte ajo e para që kuptoi se vajza ishte dhunuar. "Vajza është me zhvillim të vonuar dhe ne kujdesemi që ajo të mos largohet shumë nga banesa. Ditën kur ndodhi përdhunimi, e dërgova për të më marrë një furçë te shtëpia e vëllait tim, që është vetëm pak metra larg. Vajza u vonua gati treçerek ore dhe kur erdhi ishte e shfytyruar. Në fillim nuk donte të më fliste, pastaj plasi në të qara e më tregoi se Vasil Kane i kishte dalë te hyrja e dyqanit dhe e kishte futur me forcë në shtëpi, që është ngjitur me dyqanin. Më pas, nën presionin e thikës e kishte përdhunuar. Në trupin e vajzës kishte shenja dhune", thotë me lot në sy gruaja me ngjyrë. Ajo dhe bashkëshorti i saj kërkojnë nga organet e drejtësisë, që të dënohet autori i përdhunimit, pasi përndryshe, ata do të gjejnë vetë mënyrën për të vënë drejtësi.
Mbrojtja
Por të afërmit e të akuzuarit për përdhunim, thonë se gjithçka mund të jetë stisur nga familja Çuçi, duke shfrytëzuar paaftësinë mendore të vajzës. Fatmir Panda, kunati i të arrestuarit thotë se familja Çuçi i kishte shumë borxhe Vasil Kanes dhe ky i fundit kishte kohë që insistonte në shlyerjen e borxhit. "Kunati im, Vasili, ka një dyqan në fshatin Seman. Prindërit e 15-vjeçares, duke qenë se janë të varfër kanë marrë mallra veresie në dyqanin e tij. Vasili u ka kërkuar atyre borxhet dhe shlyerjen e tyre shumë shpejt, madje duke i kërcënuar me sekuestrim të ndonjë objekti në shtëpi si frigoriferi apo televizori. Pelivani dhe Manushaqja, duke mos pasur lekë i janë drejtuar një dyqani tjetër dhe së bashku me pronarin e dyqanit tjetër, për shkak të konkurrencës, kanë ndërtuar këtë skenar të turpshëm e të pabesueshëm", thotë Fatmir Panda. Ai tregon gjithashtu se Vasil Kane punon në dyqan bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Por ekspertiza ka vërtetuar se vajza është përdhunuar dhe tani Kane mund të dalë i pafajshëm vetëm nëse nga analizat do të rezultojë se sperma e gjetur në trupin e vajzës së përdhunuar, nuk është e tij.