Policia, gjoba për aksidentet
Prej më shumë se një jave, forcat e policisë së qarkullimit Lushnjë janë mobilizuar dhe kanë ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve. Sipas kreut të këtij komisariati, mësohet se faktor kryesor në uljen e numrit të aksidenteve si në akset nacionale dhe në ato rurale që përshkojnë rrethin e Lushnjës është bërë numri i lartë i gjobave që janë vendosur. Kështu, në prononcimin e tij zyrtar, kreu i Komisariatit të Lushnjës, Gazmend Noga, ka pohuar se plot 420 masa gjobash janë vendosur gjatë javës së fundit nga ana e uniformave blu të policisë së qarkullimit.
Ndërkohë që burime nga policia e qarkullimit të këtij qyteti tregojnë se të gjitha gjobat që janë vendosur kanë pasur si objektiv të tyre shpejtësinë e madhe, si dhe mungesën e dokumenteve nga ana e drejtuesve. Policia e qarkullimit ka bllokuar më shumë se 45 mjete, të cilat kanë qenë me dokumentacion jo të rregullt.