E Diel, 1 Nëntor 2026

Sabotimi, shkojnë dëm 1 mln dollarë

Ka kaluar rreth një vit nga përfundimi i ndërtimit të tregut modern në Kukës, me orientim agro-bujqësor dhe për të cilin shteti ka paguar jo pak, por plot një milion dollarë dhe ende nuk vihet në funksion. Në bazë të projektit të paraqitur në fillim të vitit 2006 nga GTZ dhe Bashkia Kukës, tregu u ndërtua në dy komplekse: 1. Ai i fruta-perimeve, mishit dhe peshkut, i realizuar në ish-fushën e druve, ku toka u mor me qira për 20 vjet nga bashkia. 2. Magazina e grumbullimit dhe përpunimit të pjesshëm të patates, në territorin e ish-parkut automobilistik, tashmë e trajtuar si pronë private. Gazeta "Shqip", që në nëntor të vitit 2006 ka paralajmëruar sabotimin që i ishte bërë nga ana e Institutit të Studimit të Projekteve (ISP) në Tiranë, ku tregut agro-ushqimor, me pretendimin, siç u mësua më vonë, për të kursyer disa lekë, i ishin hequr disa zëra, duke e bërë praktikisht të vështirë funksionimin e tij. Në Bashkinë e Kukësit, zëra të besueshëm, ndonëse jozyrtarisht, tregojnë se ISP-ja edhe më herët ka prishur punë, ndërsa në rastin e tregut, kishin argumentuar me popullsinë e vogël të qytetit. Por tregu i Kukësit, me hapjen e tregut të Kosovës, nuk është periferik, thonë ekspertët e Dhomës së Tregtisë.

Burime të GTZ-së në Kukës bëjnë të ditur se tenderi i zhvilluar nga fundi i korrikut 2006 në Tiranë ka pasur në tryezë një variant tjetër nga projekti origjinal, ose të njëjtin, por me disa reduktime, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në këto raste. Ishte rasti parë dhe më fatlumi për Kukësin, që zyra rajonale e GTZ-së, në bashkëpunim me bashkinë, kishin hartuar një nga projektet më ambicioze të bërë ndonjëherë në vend për një treg të organizuar. Projekti kishte marrë viston nga qeveria shqiptare dhe në vjeshtën e vitit 2006 nisën punimet me forca të shumëfishuara për ta përfunduar brenda atij viti, duke punuar edhe në dimër në kushte ngrice. Pjesa e tregut agro-bujqësor kapte shifrën e 550 mijë dollarëve, ndërsa magazina e përpunimit të patateve rreth 450 mijë dollarë. Ndërkohë, deri te nisja e punës ka pasur një kohë relativisht të gjatë negociatash formale dhe informale, për shkak të problemeve të truallit dhe të tjera të ngjashme, para se projekti të hidhej në tryezë. Pas mbajtjes së tenderit, u pa se projektit i mungonin disa elementë, disa zëra, të cilët, sipas specialistëve, e dëmtonin integritetin e projektit dhe e zbehnin funksionin e tij. Në foto shihet qartë se tregu i ri "rri" dhe amortizohet i mbyllur në gardh, ndërsa tregtarët shesin në vende të papërshtatshme, në pluhur dhe në baltë, në baraka prej dërrasash dhe plastmasi. Në një kryqëzim të tregut, thasët e imputeve, patatet dhe kovat me djathë apo ullinj, janë vënë përtokë. Një tufë me presh të importuar nga Greqia, si shumica e artikujve këtu, është vënë si gur kilometrik apo si tra për të devijuar qarkullimin e mjeteve. Lidhur me tregun e ri, tregtarët nuk dinë detaje pse nuk hapet, por të thonë se nuk bien dakord, edhe nëse ftohen për t‘u sistemuar atje. "Do të falimentojmë atje, nuk ka kushte për të ruajtur mallin, nuk ka hidroizolim, le që këtu sido që të jetë, jemi në rrugë", thotë një tregtar ambulant që shet patate, presh, mollë, qepë etj. Edhe bulmeti dhe peshku tregtohen në rrugë, mu në trotuar, aty përtokë. Për ironi edhe mishi tregtohet ku të mundet, në baraka apo dyqane të ndërtuara ngjitur me dyqanin e këpucëve, ndërsa tregtorja e mishit ndërtuar nga bashkia pak vite më herët, rri e mbyllur me çelës, si një objekt i ndaluar.

Bashkia e Kukësit është shprehur se tregu, sido që të jetë, do të vihet në funksion. Vetë kryetari, Hasan Halili, ka thënë pak ditë më parë se "të gjithë zërat që praktikisht i mungojnë, do të plotësohen" dhe se shumë shpejt do të vihet në shërbim të tregtarëve dhe konsumatorëve. Halili nuk saktësoi se çfarë sabotimesh janë bërë në këtë konstruksion kompleks, duke thënë se "kjo ishte një çështje ekspertësh", por u shpreh i vendosur të mos e çojë dëm investimin e bërë nga shteti. Lidhur me tregun është prononcuar edhe deputeti zonës, Fatos Hoxha, i cili tha se dosja e tregut të Kukësit i është dërguar prokurorisë dhe se kushdo që do të ketë abuzuar, do të përgjigjet para ligjit. "Unë jam i angazhuar që sa më parë të bëhet transparenca e duhur lidhur me tregun dhe kushdo që të ketë abuzuar, do të përgjigjet para ligjit", tha deputeti pa specifikuar fajtorët, pasi, siç tha, "kjo u takon kompetentëve të drejtësisë". Sidoqoftë tregu i ri vazhdon të mbetet i mbyllur dhe ka kushtuar jo pak, por një milion dollarë, çka përbën një investim të madh për një qytet të vogël si Kukësi. Ndërkohë, burime konfidenciale në bashki tregojnë se magazina e patateve "hesht" jo për parametra teknikë, por për menaxhim. Nuk është caktuar ende se kush dhe si do ta menaxhojë. Kjo magazinë e ndërtuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ka një kapacitet prej 5 mijë tonësh dhe është llogaritur të furnizojë disa qytete të Shqipërisë dhe një pjesë të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›