Lushnjë, plagos bashkëfshatarin se i ngacmoi gruan
Dy plagosje janë shënuar në Lushnjë dhe në Bulqizë. Kështu, një grindje midis dy bashkëfshatarëve në rrethin e Lushnjës ka çuar në plagosjen mjaft të rëndë të njërit prej tyre. Agim Lici, sipas burimeve zyrtare nga policia e Lushnjës, mësohet të jetë plagosur mjaft rëndë dhe është në rrezik për jetën, pasi u qëllua me armë zjarri pistolete. Burimet zyrtare policore tregojnë se autor i plagosjes së bashkëfshatarit është Miri Mebelli. I plagosuri, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në spitalin civil të qytetit, është dërguar drejt atij Ushtarak në Tiranë, ndërkohë që policia e ka shpallur në kërkim autorin. Shkak, sipas burimeve policore, mësohet të ketë qenë ngacmimi i gruas së autorit nga ana e të plagosurit. Sipas burimeve policore nga Lushnja, mësohet se paraditen e së premtes në fshatin Fier i Ri, të Komunës Krutje, pak kilometra larg nga vendi i njohur si Pushimi i Shoferit, në një prej lokaleve të lagjes, midis Agim Licit, 40 vjeç dhe Miri Mebellit 32 vjeç, ka pasur përplasje fizike. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se 32-vjeçari menjëherë sa ka hyrë në lokal është përballur me 40-vjeçarin, duke i ka folur mjaft ashpër atij dhe i është drejtuar për ta qëlluar me karrige. Reflektimi i 40-vjeçarit dhe reagimi pas përplasjes së parë ka përfunduar aty në lokal edhe falë ndërhyrjes së personave të tjerë. Ndërkohë që burimet nga vendi i ngjarjes konfirmojnë se 32-vjeçari Mebelli është larguar për në banesën e tij me të shpejtë, ku ka marrë armën pistoletë që mbante pa leje. Mebelli në afërsi të vendit që debatoi më parë, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të 40-vjeçarit Lici, duke shkrehur mbi të disa plumba. Sipas policisë lokale, mësohet se mbi 40-vjeçarin Agim Lici është qëlluar katër herë me plumb dhe vetëm dy prej tyre e kanë prekur atë në këmbë dhe në bark.
Një i ri 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ka plagosur me thikë kushëririn e të dashurës së tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin e thellë malor Gjon të Komunës Martanesh në rrethin e Bulqizës, ku Ndriçim Gjoni ka goditur me thikë në afërsi të zemrës, Ramazan Leti, 60 vjeç, duke e plagosur rëndë atë. Autori, pasi ka kryer krimin, është larguar në drejtim të paditur, për t‘iu shmangur kapjes nga policia. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Bulqizë, bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive të dobëta. Por, nga burime jozyrtare mësohet se i plagosuri është kushëri i të dashurës së autorit të krimit, gjë që mund të ketë sjellë konfliktin e momentit midis tyre. I plagosuri është dërguar për të marrë ndihmën mjekësore të duhur në spitalin e Burrelit, ku mjekët e këtij spitali kanë konfirmuar se plagosja e 60-vjeçarit është bërë me thikë në afërsi të zemrës, por fatmirësisht pa e prekur atë, pra jashtë rrezikut për jetën. Burime nga Komisariati i Policisë Bulqizë bëjnë me dije për "Shqip", se forcat policore kriminale të këtij komisariati, menjëherë sapo janë informuar për ngjarjen, ku e kanë konsideruar atë si vepër kriminale të rëndë "plagosje me dashje", janë vënë në kërkim të autorit të kësaj vepre penale.