Procedura e re për legalizimet
Qeveria redukton numrin e dokumenteve për të legalizuar ndërtimet pa leje, duke shmangur kontaktet e qytetarëve me zyrat e shumta, për të eliminuar burokracitë, por nga ana tjetër shton procedura më të komplikuara për ta zotëruar në mënyrë ligjore një banesë. Për të legalizuar një shtesë pa leje, tashmë qytetarët nuk do të vrapojnë në zyrat e shumta për të marrë dokumente, por duhet të drejtohen vetëm në një zyrë, atë të ALUIZNI-it. Me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha ka vendosur t‘i japë më shumë kompetenca Agjencisë së Legalizimit të zonave informale. Këshilli i Ministrave ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore dje me vendim qeverie ligjin për legalizimet duke e rikthyer atë edhe një herë nga e para. Mënyra sesi do të veprohet tashmë me legalizimet e banesave do të jetë më e komplikuar se më parë, megjithatë vlen të theksohet se ndryshe nga më parë, ku kërkoheshin një seri dokumentesh nga pushteti vendor dhe zyrat e tjera, këtë herë personat që duan të kthejnë në mënyrë ligjore një banesë duhet të drejtohen vetëm pranë ALUIZNI-t.
Me këtë vendim të qeverisë, Agjencia e Legalizimit merr më shumë kompetenca. Mjafton vetëm të plotësohet formulari dhe më pas për gjithçka do të merret Agjencia e Legalizimit.
Kompensimi i ish-pronarëve
Ndryshimi rrënjësor i ligjit të legalizimit do të prekë ish-pronarët, të cilët duhet të presin më shumë kohë për t‘u kompensuar. Sipas ligjit të vjetër, kompensimi do të bëhej tre muaj pas legalizimit të një objekti. Ndërkohë që me ligjin e sapomiratuar dje në mbledhjen e qeverisë, kompensimi do të bëhet gjashtë muaj pas legalizimit të një objekti. Dyfishimi i kësaj periudhe kohore godet negativisht drejtpërdrejt ish-pronarët, të cilët duhet të presin tashmë më shumë kohë për të marrë kompensimin pas legalizimit të banesës. Zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kompensojnë subjektet brenda 6 muajve, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pronarëve. Për efekt të përllogaritjes së sipërfaqes së parcelës ndërtimore, të zënë nga ndërtimi informal, që kompensohet, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qark e trajton atë si truall, në përputhje me metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, që kompensohet dhe asaj që do të shërbejë për kompensim, sipas Ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar.
Formula pas vetëdeklarimit
Qeveria ka specifikuar dje edhe emërtimet e zonave të caktuara të cilat preken nga legalizimi. "Zonë me ndërtime të legalizuara", është territori me sipërfaqe mbi 5 ha, i zënë nga ndërtime të legalizuara, që nuk gëzon mbrojtje të veçantë nga aktet ligjore e nënligjore, në fuqi. "Vendbanim me ndërtime të legalizuara", është territori me sipërfaqe mbi 5 ha, i miratuar zyrtarisht për zonë të banuar urbane (qytet) ose rurale (fshat), i zënë nga ndërtime të legalizuara. Urbanizimi i zonave me ndërtime të legalizuara kryhet në bazë të studimeve urbanistike, në përfundim të procesit të legalizimit. ALUIZNI, në bashkëpunim me njësinë e qeverisjes vendore, i propozon KRRT-ve apo KRRTRSH-së, për miratim, kufirin e zonës /vendbanimit/bllokbanimit me ndërtime të legalizuara, së bashku me detyrën e projektimit për urbanizimin e tyre.
Ndryshojnë procedurat
Si t‘i legalizojmë banesat
Subjektet që kanë ngritur objekte informale do të kryejnë vetëdeklarimin, pranë zyrës së urbanistikës, në njësinë e qeverisjes vendore. Dokumentacioni i mbledhur gjatë fazës së vetëdeklarimit nga zyra e urbanistikës do dërgohet pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, e cila kryen përpunimin e të dhënave të ndërtimeve informale. Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t kryen në terren evidentimin e ndërtimeve pa leje, në përputhje me situatën e paraqitur nga fotografimi ajror dixhital, sipas ndarjes kadastrale. Për ndërtimet informale, që nuk përjashtohen nga legalizimi, ALUIZNI plotëson dokumentacionin tekniko-ligjor. Përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI, në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore, në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme, në pronësi të të tretëve dhe i dërgon Këshillit të Ministrave listën me të dhënat për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese. Pas plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit.
Ndërtimet në bregdet
Do të jepet certifikata e legalizimit, pasi të përcaktohet vija kufizuese
Nuk do të prishen ndërtimet brenda vijës së verdhë
Legalizimi i ndërtimeve informale në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit do të kryhet pas përcaktimit të vijës kufizuese të këtyre zonave. Këshilli i Ministrave, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do të nxjerrë aktet nënligjore për të zbatuar ligjin. Legalizimi i shtesave në ndërtime kryhet edhe në rastin kur subjekti ose shoqëria ndërtuese që kanë kryer shtesën jashtë lejes së ndërtimit, për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, nuk paguajnë penalitetet. Në këtë rast legalizimi kryhet në favor të blerësit dhe për subjektin/shoqërinë ndërtuese ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimit. Në territoret e përcaktuara nga ALUIZNI si territore me ndërtime informale ndalohet dhënia e lejeve për shesh ndërtimi ose e lejeve të ndërtimit subjekteve private, deri në miratimin e studimit urbanistik për to. Ndërkohë që deri në përcaktimin e vijës kufizuese, nuk do të prishen ndërtimet e bëra në bregdet brenda vijës së verdhë. Kryeministri Berisha deklaroi në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit se ndryshimi i ligjit për legalizimet synon të thjeshtojë procesin nga ngarkesat burokratike, në mënyrë që procesi të ecë me ritme të shpejta. "Ka disa ndryshime në ligjin "Për legalizimet", të cilat vijnë si rezultat i eksperiencës së madhe të krijuar deri tani. Këto ndryshime synojnë të thjeshtojnë procesin dhe burokracitë në këtë drejtim", u shpreh Kryeministri. Krahas 65 zonave të përfunduara tashmë, janë rreth 35 zona të tjera që presin të kalojnë për miratim në KRTRSH. Duke iu referuar procesit të privatizimit të apartamenteve të dikurshme, ku 220 mijë apartamente u privatizuan në 8 muaj, Kryeministri Berisha theksoi se mbi këtë bazë, ka pasur disa reflektime në ligj, për të bërë të mundur shpejtimin e procesit.
shtesat brenda pallateve
Legalizohen shtesat informale në objektet me leje
Do të legalizohen ndërtimet pa leje të bëra në objektet që kanë leje ndërtimi. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave, nuk prek në ndryshimet e saj këtë pikë, e cila prek një numër të konsiderueshëm banorësh. Sipas vendimit të miratuar dje në mbledhjen e qeverisë, pallatet e ndërtuara përpara vitit 1993, të cilat kanë shtesa anësore pa lejen e ndërtimit do të përfitojnë legalizimin e plotë në bazë të vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave. Ky ligj i shtrin efektet edhe për legalizimin e objekteve, me leje ndërtimi nga KRRT-të apo KRRTRSH-ja, te të cilat janë kryer shtesa anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, si dhe për legalizimin e shtesave, në objektet e ngritura përpara vitit 1993. Do të përfitojnë nga legalizimi të gjitha ato ndërtime informale të objekteve apo pallateve me leje, të cilat kanë bërë shtesa informale në ndërtim.