E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë, dëshmive të penalitetit

Qeveria heq nga qarkullimi dëshmitë e penalitetit. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. Me propozim të ministrit të Drejtësisë është miratuar në mënyrë unanime vendimi për të thjeshtuar procedurat për institucionet dhe për të eliminuar nga qarkullimi dëshmitë e penalitetit.

E perceptuar në mënyrë tjetër, ky urdhër i ri nënkupton faktin se së shpejti nuk do të ketë më radhë të gjata për të marrë një dëshmi penaliteti dhe për t‘u paraqitur në një institucion. Vendimi është miratuar dje në mbledhjen e qeverisë dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Tashmë nëpërmjet një sistemi të ri elektronik "fingerprint", shqiptarët do të "shpëtojnë" nga burokracitë e tepërta, duke u futur dalëngadalë në epokën e dixhitalizimit. Ministri më i ri i kabinetit, Enkelejd Alibeaj, ka paraqitur në Kryeministri një projektligj për të larguar nga qarkullimi dëshmitë e penalitetit për të gjitha institucionet. Vetëm Prokuroria e Përgjithshme do të bëjë përjashtim nga ky rregull. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Këshilli i Ministrave miratoi dje disa shtesa në vendimin nr. 825, datë 6.12.2006 "Për miratimin e institucioneve të autorizuara për verifikimin në mënyrë elektronike, të gjendjes gjyqësore si dhe të formularit të vetëdeklarimit". Ky vendim i propozuar nga ministri i Drejtësisë, merret në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe në mbështetje të ligjit "Për certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore". Vendimi i djeshëm parashikon që në vendimin nr.825, datë 6.12.2006 të Këshillit të Ministrave, të bëhen disa shtesa. Njëra prej tyre është heqja e dëshmisë së penalitetit. Duke iu referuar vendimit të qeverisë, "Institucionet e tjera, që kërkojnë të autorizohen për verifikim, në mënyrë elektronike, të gjendjes gjyqësore i paraqesin kërkesë ministrit të Drejtësisë".

Gjithashtu në bazë të këtij vendimi, "institucionet do të konfirmojnë gjendjen gjyqësore të personit të deklaruar në formularin e vetëdeklarimit nëpërmjet sistemit elektronik "fingerprint" dhe nuk mund të kërkojnë më paraqitjen e dëshmisë së penalitetit, të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore. Përjashtim nga ky rregull bën Institucioni i Prokurorisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›