Lesi: Vlora? Interpelancë me Berishën
Deputeti dhe kryetari i Partisë Lëvizja Demokristiane, Nikollë Lesi, kërkoi dje thirrjen e një interpelance me kryeministrin Sali Berisha për çështjen "Petrolifera". Ai doli në mbështetje të banorëve të zonës në pretendimin e tyre për të sqaruar atë çka po ndodh në qytetin bregdetar. Sakaq, Lesi, vlerësoi se një nismë të tillë duhet ta bënin pesë deputetët që Vlora ka në Kuvendin e Shqipërisë. Sakaq, kryetari i Partisë Socialiste dënoi dhunën e përdorur nga policia ndaj qytetarëve të Vlorës me pretendimin e një proteste të paligjshme. Sipas tij, Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë, jo vetëm nuk e lejojnë, por e konsiderojnë një kundërvajtje ligjore të dënueshme përdorimin e dhunës policore ndaj qytetarëve të lirë të kësaj republike. Partia Socialiste e Shqipërisë i kërkoi Ministrisë së Brendshme nxjerrjen e përgjegjësive ligjore për të gjithë ata persona, që në emër të shtetit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj qytetarëve me qëllim ndëshkimin primitiv të një reagimi qytetar, i cili e ka zanafillën e vet te premtimet elektorale të Kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Vlorës. Rama nënvizoi se në qoftë se sot Kryeministri i Shqipërisë nuk është më në gjendje ta mbajë edhe premtimin e referendumit lokal për veprat me bazë nafte, siç nuk po mban dot asnjë premtim tjetër, ky nuk është faji i qytetarëve të Vlorës. "Kjo është një marrëveshje e nënshkruar me votë nga zgjedhësit vlonjatë dhe e shkelur në mënyrë të njëanshme nga zoti Kryeministër, e cila nuk mund të zgjidhet me gjuhën e forcës, por me forcën e arsyes", u shpreh Rama. Nga ana tjetër, Lëvizja Socialiste për Integrim përmes Edmond Haxhinastos përsëriti qëndrimin konstant për këtë çështje. Ai vlerësoi se mënyra më e mirë për të vendosur për këtë çështje me rëndësi të madhe për të sotmen dhe zhvillimin e ardhshëm të Vlorës, është nëpërmjet shprehjes së vullnetit të popullit të Vlorës përmes një referendumi.