Haxhinasto: Shumica të mos bëjë diversion me opozitën
Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim kritikoi dje shumicën për mungesë vullneti drejt konsensusit politik. Lëvizja Socialiste për Integrim përmes Edmond Haxhinastos vëren me shqetësim mungesën e vullnetit dhe përgjegjshmërisë politike të kësaj mazhorance për të realizuar detyrimet për procesin e anëtarësimit në NATO dhe në BE. "Tashmë është përcaktuar qartë nga partnerët tanë ndërkombëtarë se reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi janë kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe progresin e saj të mëtejshëm drejt BE-së", u shpreh Haxhinasto. Sipas tij, pavarësisht se këto kushte janë të qarta, plotësimi i tyre është tepër i vonuar dhe vë në pikëpyetje edhe ftesën tonë për në NATO, në prill të këtij viti. "Mosmarrja e ftesës për në NATO në rast dështimi në realizimin e këtyre reformave, do të ketë një përgjegjës dhe kjo është qeveria e Shqipërisë", vlerësoi LSI. Duke shtuar se ndonëse është kritikuar rëndë për mungesën e konsensusit politik në raportin e Progresit të BE, kjo mazhorancë nuk ka bërë asnjë përpjekje për krijimin e një klime konsensuale politike. Haxhinasto insistoi se mjeti për të realizuar reformat nuk është as diversioni ndaj opozitës, as përçarja e saj, dhe as logjika e numrave apo kartonëve të imponuar në Kuvend, pasi reformat e mëdha kërkojnë konsensuse të mëdha", konstatoi ai. Për Haxhinaston diskutimi për reformat zgjedhore dhe në drejtësi duhet të futet në Parlament dhe të realizohet në mënyrë konsensuale, institucionale dhe ligjore, e jo me demagogji mediatike. Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmon gatishmërinë e saj për të kontribuar në realizimin në mënyrë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse të këtyre reformave madhore për integrimin e vendit. Një deklaratë e tillë vjen vetëm një ditë pasi deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, u shpreh në një intervistë për "Shqip" se shumica do kishte mbështetjen e LSI-së për reformat e mëdha, përfshirë edhe atë në sistemin e drejtësisë. Mundësinë e bashkëpunimit LSI e ka reklamuar për ligjin e kufizimit të imunitetit por kjo, sipas tyre, duhet të arrihet me ndërhyrje në Kushtetutë.