Rama, letër Rupelit: Jemi gati për reformat
Edi Rama siguroi presidencën e radhës së Bashkimit Evropian se Partia Socialiste është e angazhuar në kryerjen e reformave të mëdha. Kreu i selisë rozë ju drejtua dje me një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Dimitrij Rupel. Lideri i opozitës shqiptare e uroi atë për marrjen e presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, nga ana e Sllovenisë dhe shprehu bindjen se çështja e Kosovës do të përbëjë një nga prioritetet kyç të kësaj presidence. Kryetari i socialistëve, Rama, në këtë letër shprehu edhe vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për kapërcimin e detyrave urgjente që duhet të realizojë vendi në rrugën e tij drejt anëtarësimit. "Përfitoj nga rasti të rinënvizoj vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste të Shqipërisë për të punuar me ngulm në kapërcimin e detyrave më urgjente që përballet vendi ynë sot", vlerësoi Rama. Duke renditur reformën në sistemin elektoral dhe atë të drejtësisë, forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimin e konsolidimin e institucioneve demokratike dhe krijimin e një klime politike të shëndoshë. "Të gjitha këto, gurë themeltarë në rrugën e integrimit të vendit në BE dhe NATO", konstaton Rama. Në letër Rama konfirmoi shumë qartë qëndrimin e opozitës shqiptare, sipas të cilit, dëshirojmë një Kosovë të lirë e të fortë dhe një Serbi demokratike me një të ardhme të qartë euroatlantike. "Ne jemi të impenjuar dhe angazhuar për të punuar në ruajtjen e rolit moderator të Shqipërisë në rajon", theksoi Rama. Duke shtuar se tani në Ballkanin Perëndimor ka një moment i cili mund të ndryshojë njëherë e mirë fatet e tij. "Roli juaj për t‘i garantuar rajonit një perspektivë evropiane është historik", tha Rama, ndërsa shtoi se "ne si shqiptarë, kemi shpresa të mëdha në presidencën e vendit tuaj, ashtu si dhe te Ju personalisht". Rama shprehu bindjen se gjatë presidencës së Sllovenisë do të arrihet ajo çka është shprehur në mesazhin e Rupel me rastin e marrjes së kryesisë së radhës ku e konsideroni si "energji miqësie, partneriteti, fqinjësie të mirë, dialogu, respekti, mirëkuptimi dhe solidariteti".