Bregu dorëzon detyrat e vitit për ministrat
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u ka "dhuruar" të gjithë ministrave të qeverisë një kalendar të vitit 2008 ku janë të shënuara të gjitha detyrimet për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Në këta kalendarë, ministrja e Integrimit në mënyrë të detajuar ka përshkruar "detyrat e shtëpisë" për çdo anëtar kabineti, duke i caktuar edhe afatin mujor. Në një mënyrë të thjeshtë ministrja Bregu, ka dhunuar të gjithë muajt e vitit kur duhet të miratohen aktet ligjore e nënligjore të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të firmosur më 12 qershor të vitit 2006 në Bruksel mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e qeverisë se "kalendari" nuk ishte gjë tjetër veçse një axhendë pune për çdo ministri për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Berisha, me këtë rast përgëzoi dhe falënderoi ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, për "dhuratën", duke u kërkuar ministrave që kjo axhendë të jetë në tryezën e përditshme të punës së tyre dhe të skontojnë secili çdo javë përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja. Kryeministri Berisha kërkoi që kopjet e axhendës të mund të shpërndahen dhe për qytetarët dhe për zyrtarë të rangjeve të tjera, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndjekim axhendën e integrimit. Ndërkohë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u shpreh se në këtë axhendë janë prioritetet të çdo muaji për çdo ministri dhe ajo reflekton të gjithë prioritetet e MSA-së, në bazë të çdo muaji.
Ministria e Brendshme
Dikasteri i drejtuar nga ministri Bujar Nishani, ka edhe barrën më të madhe të detyrave për të zbatuar MSA-në dhe ka përfituar kështu edhe "dhuratën" më të rëndë të ministres Bregu. Thelbi i detyrës për Ministrinë e Brendshme është "ndryshimi i ligjit për statusin e nëpunësit civil", që përbën edhe një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, në lidhje me ngritjen e një administrate të papolitizuar. Ky detyrim kërkohet të mbyllet brenda muajit janar. Tjetër detyrë klase për ministrin Nishani është edhe miratimi i aktit ligjor për monitorimin e kufirit, shtesa në Kodin Penal kundër shfrytëzimit të fëmijëve, amendimi i ligjit për azilin etj. Po ashtu, Ministrisë së Brendshme i kërkohet edhe miratimi i draftit të luftës kundër terrorizmit.
Ministria e Jashtme
Ministrit Basha i kërkohet kryesisht miratimi i një sërë aktesh nënligjore në lidhje me projektligjin që do të përbëjë vizën e re pullë për hyrjen në Republikën e Shqipërisë.
Ministria e Drejtësisë
Në "kalendarin" e ministres Bregu për kolegun e saj të ri, Alibeaj, janë renditur një sërë detyrimesh të rëndësishme, që ka të bëjë me sistemin gjyqësor, sistemin e përmbarimit, administratën e gjyqësorit. Gjithashtu, në detyrimet e pjesës së dytë të vitit 2008 janë shënuar si detyrime hartimi i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të Republikës.
Ministria e Financave
Dikasteri i Financave ka gjithashtu një pjesë të barrës kryesore të detyrimeve që rrjedhin nga nënshkrimi i MSA-së. Thelbi i këtyre kërkesave është ruajtja e stabilitetit makroekonomik, duke vazhduar me zbatimin e një politike fiskale, me qëllim konsolidimin fiskal dhe ruajtjen e inflacionit në nivel të ulët, si dhe qëndrueshmërinë e jashtme, vazhdimi i reformës fiskale me qëllim forcimin e kapaciteteve administrative tatimore dhe përmirësimin e kapaciteteve për menaxhimin e borxhit etj.