E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pavarësia e Kosovës, efekt pozitiv për të gjithë

Kryeministri Berisha dha dje një intervistë për zv/drejtorin e zyrës së gazetës "Wall Street Journal" për Evropën Juglindore dhe Veriore, Marc Champion. Në këtë intervistë, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrisë, gazetari Champion shfaqi interesin e tij lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, situatën në Kosovë dhe në rajon, sidomos në lidhje me zgjedhjet në Serbi. Në përgjigje të pyetjes se çfarë do të ndodhë në Serbi dhe se si do të reagonin Serbia dhe vendet e rajonit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Berisha u përgjigj se "pavarësia e Kosovës, shpallja e së cilës do të bëhet në një kohë të shpejtë, sigurisht do të ketë një reagim jo të mirë të Serbisë". Por jam i sigurt, u shpreh Kryeministri Berisha, se vendet e rajonit do të reagojnë mirë, pasi e dinë se pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë për stabilitetin e rajonit. "Pavarësia do të ketë gjithashtu një efekt pozitiv edhe për shkakun se do të çojë në një zgjidhje të shpejtë të tranzicionit nacionalist në Serbi. Sa më shpejt të shpallet pavarësia në Kosovë, aq më shpejt Serbia do të lërë pas të shkuarën e saj të hidhur dhe do të shohë drejt një të ardhmeje integruese në Evropë", tha Kryeministri Berisha në përgjigje të pyetjes. Gjithashtu, gazetari Champion u interesua nëse ka një ide për të ashtuquajturën "Shqipëria e Madhe" dhe a do të kishte rrezik që edhe vende të tjera si Kosova të bënin të njëjtën gjë. Kryeministri Berisha iu përgjigj kësaj pyetjeje me një shembull, duke nënvizuar se kur ra Muri i Berlinit shumë gjermanë nga Gjermania Lindore kaluan në Gjermaninë Perëndimore dhe nuk dëshironin të ktheheshin në vendin e tyre, ndërsa kur u deportuan kosovarët gjatë luftës në Kosovë dhe erdhën në Shqipëri ata pas një jave u kthyen në vendin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›