Elbasan-Tiranë, furgonët bllokojnë rrugën të hënën
Përshkallëzohet protesta e më se 200 drejtuesve të furgonëve taksi të qytetit të Elbasanit. Dy ditë më parë ata kanë bojkotuar linjën drejt kryeqytetit, por nesër kanë vendosur bllokimin e rrugës nacionale për dy orë në drejtim të Tiranës. Protesta e tyre vjen pas gjobave të policisë bashkiake dhe asaj të qarkullimit të Tiranës, si dhe moslejimit për të ndaluar në vendqëndrimin te Rruga e Elbasanit në kryeqytet. Protesta në fjalë është zyrtarizuar edhe nga krerët e Sindikatës së Pavarur të Transporteve në Elbasan, të cilët dje kanë dalë në një konferencë për shtyp. "Ne përkrahim protestën e drejtuesve të furgonave taksi, pasi ata janë të licencuar dhe paguajnë të gjitha detyrimet fiskale ndaj shtetit, sikurse bashkohemi me vendimin e tyre për të bllokuar për dy orë rrugën nacionale Elbasan-Tiranë", ka pohuar dje paradite kreu i sindikatave të pavarura të transporteve në Elbasan, Romeo Haskaj. Sipas këtij të fundit, është hartuar një peticion në drejtim të ministrit të Transporteve, kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, prefektit dhe kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, në të cilën kërkohet trajtimi si persona fizikë të regjistruar për të gjithë drejtuesit e 200 furgonave taksi, si dhe moslejimin e policisë bashkiake dhe asaj të qarkullimit të kryeqytetit që të aplikojnë ndaj tyre gjoba pa bazë ligjore. E njëjta protestë është përsëritur edhe vitin e kaluar, ku pas konsensusit të arritur ndërmjet dy përfaqësuesve të pushtetit lokal, të Elbasanit dhe Tiranës, u arrit që shoferët e licencuar të linjës Elbasan-Tiranë e në kthim ta vazhdonin punën normalisht. Aktualisht, 60 për qind e drejtueseve të këtyre mjeteve janë gjobitur me gjoba nga 1 deri në 5 mijë lekë nga dy policitë e kryeqytetit, për të mos ndaluar në asnjë vend në kryeqytet, madje si vendqëndrim i tyre është caktuar një aneks rruge para se të hyhet në Sauk. Sindikalistët e pavarur tërheqin vëmendjen ndaj heshtjes së shtatë deputetëve të Elbasanit, të cilët sipas tyre kanë kërkuar e marrë vota nga ky qytet, por asnjëherë nuk janë përpjekur për zgjidhjen e problemeve të transportit interurban nga Elbasani në drejtim të Tiranës.