Pejë e Prekaz, turma "pushton" Topin
Një pritje që Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, do ta mbajë mend gjatë. Mijëra qytetarë të Pejës, një nga qytetet më të vjetra të Kosovës kishin mbushur rrugët për të mos e humbur këtë rast. Turma e ka ndjekur Presidentin në çdo hap të qytetit. Flamujt nuk kanë munguar dhe brohoritjet me emrin e tij gjithashtu. Por "Shqipëri, Shqipëri" ka qenë thirrja më domethënëse e turmës që kërkonte të shprehte lidhjen sa shpirtërore po aq dhe politike me vendin që prezantonte kreu i shtetit shqiptar. Valltarë të veshur me kostume popullore në qendër të qytetit dhe kërcitja e daulleve vetëm sa e shtonin atmosferën e festës
"Janë ca gjëra që ju gazetarët i komentoni më mirë se unë që kam emocione, por është një mikpritje që i shkon për shtat traditës së shqiptarit". Presidenti ishte modest. Pritjen madhështore ua dedikoi institucioneve dhe Shqipërisë dhe jo vetëm emrit të tij. Natyrisht, ai e lidhi këtë mikpritje me datën e pavarësisë, duke e cilësuar si "Ditën e Re". Presidenti ka shtrënguar duart me qindra veta. Shiritat e verdhë të vënë për të mbajtur njerëzit, befas janë këputur dhe njerëzit kanë vërshuar drejt tij. Edhe forcat speciale të SHPK-së e kanë parë veten të paaftë për të menaxhuar situatën. Por asgjë. Një pritje e ngjashme me atë që i është rezervuar Presidentit Bush në Fushë-Krujë. "Mirëserdhe o burrë i madh" iu drejtua një banor i Pejës. Topi vendosi një kurorë më lule te statuja e Haxhi Zekës, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Ali Lajçi.
Te varri i Adem Jasharit
Kurora me lule, më parë Presidenti vendosi edhe në varrin e Adem Jasharit dhe të gjithë familjes Jashari që u sakrifikua e tëra me 5 mars 1998. Një pritje madhështore, gjithashtu, i ishte rezervuar në këtë vend, që është kthyer në një vend pelegrinazhi në Kosovë. Rrugët ishin plot nga të gjitha anët. Presidenti shoqërohej nga një numër i madh politikanësh dhe personalitetesh të Kosovës. Për të familja, Jashari përfaqëson dy momente të rëndësishme. "Momenti i parë është i veprës së paarritshme dhe të pakrahasueshme që Adem Jashari ka dhënë për Kosovën dhe për pavarësinë e saj", tha Presidenti duke shtuar se "momenti i dytë lidhet me forcën e familjes Jashari që me sa duket është pjesë e trashëgimisë gjenetike të kësaj familjeje, por edhe pjesë e asaj që përfaqëson populli liridashës i Kosovës që di ta përballojë dhimbjen dhe ta kthejë atë në forcë dhe në shpresë". Topi ka vizituar shtëpinë-muze, e cila përshkohet nga plumbat e policisë serbe që e mbajti të rrethuar për tri ditë e net me radhë. Presidenti i Republikës, gjatë rrugës për në Prekaz e theu edhe sërish. Makina e tij u ndal dhe ai doli për të përshëndetur njerëzit që kishin dalë rrugëve nga do ta kalonte. Të gjithë menduan se arritën në Prekaz, por jo. Presidenti Topi nuk mund të qëndronte indiferent dhe makina e tij, thjesht të kalonte. Në mëngjes, kreu i shtetit, Bamir Topi, kishte vizituar varrin e një tjetër simboli të Kosovës. Ai vendosi një kurorë me lule te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, simbol i rezistencës paqësore. Gjatë vizitës në Pejë, një kurorë me lule është vendosur edhe te monumenti i dëshmorit, Shkëlqen Haradinaj, vëllai i Ramush Haradinajt, duke treguar kështu kujdes për të kujtuar të gjithë, pa dallime politike.
Thaçi
Axhendën e takimeve të ditës së dytë, Presidenti i Republikës e ka filluar me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ashtu sikurse te pritja që i bëri Presidenti Sejdiu, Garda e TMK-së dhe tapeti i kuq ishin pjesë e ceremonisë pritëse. Presidenti dhe Kryeministri kanë ecur krah për krah dhe më pas janë nisur drejt zyrës, ku temë kryesore e bisedës ka qenë ajo që është edhe temë kryesore e gjithë kësaj periudhe, pavarësia. Më pas, urimet e ndërsjella para mediave. "Sinqerisht, z. Thaçi ju kemi vlerësuar si një figurë mjaft komplekse, keni qenë një nga luftëtarët për çlirimin e Kosovës edhe sot keni marrë profilin e një politikani modern perëndimor që dini të jeni në bisedime me partnerët me të rëndësishëm ndërkombëtarë, në mision paqeje dhe këtë po e ushtroni ashtu siç duhet", tha Topi duke komplementar kreun e qeverisë kosovare. "Kosova do të shkojë në mënyrë të sigurtë drejt asaj që pritet nga të gjithë i një shteti sovran dhe të lirë dhe në rrugën e integrimit, rruga për të gjitha vendet e Ballkanit, tha më tej Presidenti, duke dhënë fjalën se Shqipëria dhe qytetarët e Shqipërisë do të jenë një mbështetje e fuqishme. Ai përmendi edhe delegacionin e ministrave që ka marrë me vete, pikërisht për këtë arsye, për të bashkërenduar ndihmën që Shqipëria do të ofrojë. "Unë padyshim do të bëj çka është e mundur së bashku me institucionet e tjera në Shqipëri që t‘i kontribuojmë kësaj klime dhe gjithçka të vijë në mënyrën më natyrale. Për sa i përket datës së shpalljes së pavarësisë
Presidenti shqiptar e tha njëherë e mirë për gazetarët "Çështja e datës është një ekskluzivitet i institucioneve të Kosovës". Ai përsëriti se çështjet përtej momentit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës janë çështje që kanë të bëjnë më zhvillimin. Por në axhendën e takimit ka qenë edhe ekonomia ku padyshim, rruga "Durrës-Kukës u pa si rruga e "shpëtimit kombëtar".
Ndërsa Kryeministri Thaçi tha se Presidenti Topi po luan një rol të rëndësishëm të uniteti politik dhe qytetar në pozicioni e Presidentit të Shqipërisë. "Vizitat e të gjitha personaliteteve në Kosovë e kanë të veçantën e vet e në veçanti tash në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës shtetit më të ri Evropë", tha Thaçi. Ai shprehu mirënjohjen edhe për kohën e luftës. "Më vjen mirë që këtë realitet të lirisë të çlirimit të këtij tranzicioni e kemi krijuar bashkërisht që nga 1998-‘99 kur të gjitha institucionet atëherë të Shqipërisë ishin për çlirimin e Kosovës dhe sot në prag të pavarësimit të Kosovës kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Presidenti u nderua edhe me titullin "Qytetar Nderi i Prishtinës".