NATO, BE dhe SHBA, në një paketë
Edhe pse për reformat në NATO dhe për studimet rreth rolit të saj në ndërtimin e sigurisë botërore flitet prej disa vitesh, që nga Samiti i Stambollit 2004, nuk ka pasur projekte dhe ide konkrete. Por prej dhjetë ditësh në Pentagon dhe në selinë e NATO-s në Bruksel, qarkullon një plan, të cilin shumë e quajnë "Manifesti i Ri i NATO-s". Atë e kanë punuar ish-gjeneralët dhe strategët më të lavdishëm nga SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, e Holanda - shkruhet në një nga numrat e ditëve të fundit të së përditshmes britanike "Guardian".
Dokumenti mund të paraqitet në prill në Samitin e NATO-s në Bukuresht. Ata propozojnë reformim të plotë të Aleancës në të gjitha nivelet dhe bien dakord që mes NATO-s, SHBA-ve e BE-së, të krijohet një pakt i ri i fuqishëm, baza e të cilit të jetë një "strategji e re e madhe, e aftë për t‘u përballur me botën që është gjithnjë e më brutale".
Ata bien dakord që NATO të pranojë strategjinë amerikane të "goditjes parandaluese" edhe me armë bërthamore, për të "ndaluar zgjerimin e papërmbajtur të armëve bërthamore e armëve të asgjësimit në masë".
Pesë gjeneralët thonë se "goditja parandaluese me armë bërthamore" është instrumenti i nevojshëm "sepse nuk ka asnjë mënyrë realiste jo ushtarake për të arritur te bota pa armë bërthamore. Manifestin e kanë shkruar gjenerali amerikan John Salikashvilli, gjenerali gjerman Klaus Naumann, britaniku Lord Inge, holandezi gjeneral Henk van den Breemen dhe francezi admirali Jacques Lanxade, të cilët, paraprakisht, janë konsultuar me politikanë, shumica e të cilëve nuk mund të flasin hapur për këtë temë, por dhe me komandantë aktivë ushtarakë. Të gjithë e përshkruajnë botën e sotme me tone të zeza, sidomos pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ata thonë se sistemi i vlerave dhe mënyra e zhvilluar e jetesës së Perëndimit janë në rrezik të madh dhe duhet të bashkohen forcat për ta mbrojtur atë. Kërcënimet më të mëdha janë radikalizimi politik e fetar, terrorizmi, krimi i organizuar, zgjerimi i armëve të asgjësimit në masë, ndryshimet klimaterike dhe pasiguria në furnizimin me energji elektrike.