E Diel, 1 Nëntor 2026

S‘kthehej dot në Angli, var veten 20-vjeçari

Një djalë 20 vjeç, nga një fshat i Mallakastrës, i ka dhënë fund jetës, duke u varur në litar dy javë pas kthimit nga emigracioni. I riu, banor i fshatit Drenovë Fushë të Mallakastrës, është gjetur i pajetë dje pasdite dhe familjarët e tij thonë se e vetmja arsye e vetëvrasjes ka qenë pamundësia për t‘u rikthyer në Angli, ku kishte jetuar disa vite. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Ballshit, vetëvrasja mendohet të jetë kryer rreth orës 16:45 të ditës së djeshme dhe pak minuta më pas një telefonatë në numrin 129 ka bërë njoftimin në komisariat për çka kishte ndodhur. Burimet policore bëjnë të ditur se 20-vjeçari i vetëvrarë quhet Klodian Serjani. Pasditen e djeshme, pasi kishte komunikuar me të gjithë familjarët e tij në mënyrë krejt normale, Klodian Serjani mori litarin që kishte tri ditë që e kishte bërë gati dhe u fut në kasollen e bagëtive, që ndodhej disa metra larg banesës së tij. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes treguan se 20-vjeçari nuk kishte dhënë shenja të depresionit, ndërkohë që ditën e djeshme ishte sjellë fare normalisht. Ai është gjetur në çastet e fundit të jetës, teksa i dilnin shkumë nga goja dhe ndërhyrja e të afërmve ka qenë e kotë. Ka qenë nëna ajo që e ka parë e para të birin të varur. Policia lokale bën të ditur se nëna kishte dëgjuar zhurmë dhe një klithmë, por kishte menduar se vinte nga banesat e tjera të lagjes. Vetëm kur ka shkuar të mjelë bagëtitë ajo ka parë trupin e të birit që lëkundej. Ajo nuk ka mundur të ndërhyjë për t‘i dhënë ndihmë dhe ka dalë me shpejtësi për të kërkuar ndihmë. Menjëherë drejt kasolles kanë mbërritur kushërinj dhe të afërm të tjerë të 20-vjeçarit, të cilët i kanë liruar lakun nga qafa. Por sapo kanë lajmëruar urgjencën e spitalit të Fierit, ata kanë kuptuar se akti i vetëflijimit nga ana e 20-vjeçarit ishte finalizuar me vdekjen e tij. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka mundur të gjejë si provë materiale litarin me të cilin 20-vjeçari i kishte dhënë fund jetës. Burimet policore tregojnë se litari ishte prej liri. Pas këqyrjes së trupit të pajetë, policia ka marrë në pyetje të afërmit e tij. I vetmi shkak, sipas policisë, mësohet të ketë qenë humbja e mundësisë për t‘u larguar drejt vendit të emigrimit, ku 20-vjeçari kishte jetuar për disa vite. Policia bën të ditur se Klodian Serjani ishte kthyer dy javë më parë nga Anglia. Ai ishte riatdhesuar nga autoritetet angleze, pasi ishte kapur pa dokumente. Të afërmit treguan se gjatë këtyre dy javëve ai kishte shqyrtuar të gjitha mënyrat për t‘u rikthyer në ishullin e largët, por nuk kishte arritur ende të gjente zgjidhje. Ky është rasti i dytë brenda pak kohësh, kur pamundësia për t‘u larguar nga Shqipëria i çon të rinjtë në vetëvrasje. Gjashtë muaj më parë, një 28-vjeçar nga qyteti i Roskovecit, pasi humbi vizën për në Itali, ku kishte familjen e tij, u vetëvra me një armë gjahu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›