E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Unë apo Rama? Kryeministrin ta vendosë populli

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaron se Kryeministrin e ardhshëm të së majtës do ta caktojnë zgjedhësit me votën e tyre. Ndonëse e vlerëson të parakohshëm si debat, ai nuk heziton të japë një vlerësim të tijin paraprak. "Do të thosha që nuk përbën çështje të rëndësishme, pasi angazhimet tona janë krejt të tjera sot dhe në fund të fundit unë në mënyrë të qëndrueshme kam theksuar se për opozitën është e rëndësishme që të ketë një objektiv madhor që është fitore në zgjedhjet e ardhshme", shprehet Meta. Së dyti, shton ai, është shumë e rëndësishme jo vetëm për LSI-në, por më shumë edhe për PS-në apo dhe partitë e tjera opozitare, për të pasur një vizion sa më konstruktiv në marrëdhënie me njëra-tjetrën. "Pra, jo thjesht një përpjekje që këtë elektorat për ta orientuar apo për ta marrë patjetër një ditë, sepse kjo nuk sjell ndonjë përfitim shtesë për opozitën, por ideja që ne duhet të punojmë sa më shumë për të tërhequr dhe për të bërë për vete nga ai elektorat, që ende mungon në kutitë e votimit, i cili ende nuk ka besim për t‘u rikthyer te politika dhe kjo është sfidë që nuk fitohet as me këtë lloj pingpongu", thekson kreu i LSI-së. Meta pranon se nuk ka asnjë ankth për çështjen e emrit të Kryeministrit të ardhshëm. "Për arsye se i gjithë opinioni e di që kam qenë Kryeministër dhe në shumë detyra të tjera të larta shtetërore dhe kështu nuk është asnjë çështje prove dhe asnjë çështje sfide personale në çdo rast që mund të jetë dhe që nuk mund të vendoset personalisht nga unë", argumenton ai. Meta sqaron se ai përfaqëson një forcë politike dhe kjo forcë testohet në zgjedhje. "Janë votuesit ata të cilët japin mesazhin në fund fare për të ardhmen dhe për përgjegjësitë që duhen marrë në raport me ta, pra është një çështje krejtësisht e së ardhmes", nënvizon ai. Duke përsëritur se opozita duhet të përqendrohet më shumë përveç paraqitjes së programeve, të alternativave të saj, te konstruktiviteti i saj, duhet të përqendrohet akoma më shumë për domosdoshmërinë e përfundimit të reformës zgjedhore në kohë. "Se në rast se zgjedhjet nuk do të jenë vërtet të sigurta, vërtet të ndershme, atëherë ky lloj pingpongu, se kush do të jetë dhe çfarë do të jetë, është krejtësisht i panevojshëm dhe qesharak", tha Meta. Kreu i LSI-së, në kuadër të klimës politike, mendon se Shqipëria nuk e ka problemin se ka shumë parti, dhe nuk ka pasur këtë problem gjatë këtyre 17 viteve. Problemi kryesor i vendit, shtoi ai, ka qenë se ka pasur dy parti dhe që kryesisht këto dy parti kanë pasur mazhoranca të gjithëpushtetshme. "Pra një parti që ka pasur të gjitha pushtetet dhe që është bërë e papërmbajtur apo arbitrare në marrjen e vendimeve, gjë që ka sjellë herë pas here edhe kriza", theksoi Meta. Pra, argumenton ai, nuk është si Italia, që është problem fragmentimi i parlamentit, i koalicioneve, sikurse po ndodh ditët e fundit. "Kështu që unë mendoj se demokracia shqiptare ka nevojë për më shumë sesa dy ngjyra, ka nevojë për më shumë sesa dy zëra, ka nevojë për më shumë garanci, të cilat sjellin më shumë transparencë si në qeverisje dhe në opozitë", theksoi Meta, duke ju referuar një poli të tretë. "Personalisht mendoj se në rast se Shqipëria sot ka 1 mijë probleme, problemi i parë, problemi i dytë dhe problemi i tretë mbetet energjia, pastaj mund të diskutohet për gjithë problemet e tjera që janë të shumta", mendon Meta. Sakaq, në vlerësimin e tij, në rast se Shqipëria nuk do ta zgjidhë dot të paktën këto dy vite këtë problem, do të ketë një mijë probleme pas dy vitesh. Ai rrëfen edhe për bisedat e tij me Kryeministrin Berisha në momentin e firmosje së MSA-së për çështjen kryesore që ka sot Shqipëria, pra që është çështja e energjisë. "Duket se qeveria është ende e paqartë në zgjidhjen e këtij problemi, që për mua është problemi më madhor që kemi sot", konstaton Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›