Komunistët mbledhin fonde për ditëlindjen e Enverit
PKSH-ja, nëpërmjet një vendimi të Byrosë Politike të saj, ka hapur një fushatë urgjente ndihmash financiare, për arkën e kësaj partie, të cilat do të përdoren për festimin e 100-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës. Ky vendim u ka ardhur prej ditësh për zbatim, komiteteve të PK-së, në rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, në Qarkun e Dibrës. Kryetari i PK-së, për Rrethin e Bulqizës, Musa Strazimiri, bëri të ditur për "Shqip", se shuma financiare që ai duhet të mbledhë në këtë rreth, është 10 mijë lekë të reja, ndërsa për Dibrën dhe Matin, 20 mijë lekë. Po sipas tij, fushata do të organizohet nga komitetet e partisë në këto rrethe, ku për kurorëzimin me sukses të saj, ata do të organizojnë grupe shokësh, për t‘iu drejtuar biznesmenëve dhe njerëzve dashamirës të kësaj partie. Gjithashtu përveç miqve e dashamirësve, ku pritet të sigurohet pjesa kryesore e kësaj ndihme financiare, një pjesë e vogël e kësaj ndihme, do të sigurohet edhe nga anëtarësia komuniste, që kanë mundësi financimi. Por nuk bëhet e qartë, në këtë vendim, se si do të bëhet transparenca e fondeve të grumbulluara për këtë qëllim, kur dihet se pjesa dërmuese e anëtarësisë së PK-së për Bulqizën, kanë akuzuar nëpërmjet ish-kryetarit të kësaj partie, inxhinier Mustafa Manjani, kryetarin e PKSH-së, Hysni Milloshi, për abuzim me fondet financiare të partisë. Pikërisht kjo ka çuar në ndarjen e PK-së për Bulqizën, ku anëtarët e mbetur aktualisht besnikë të Milloshit, numërohen me gishtat e njërës dorë. Megjithatë, kryetari Strazimiri është i bindur se jo vetëm do të realizojë fondin e caktuar për t‘u mbledhur prej 10 mijë lekësh, por edhe do ta tejkalojë ndjeshëm atë.