E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Tani shqiptarët dhe serbët të shohin drejt integrimit

Pavarësia e Kosovës hap mundësitë për një kapitull të ri mes kombit shqiptar dhe atij serb. Kështu është shprehur dje Kryeministri Sali Berisha. Në një ceremoni të organizuar me të rinjtë në selinë e PD-së, kreu i qeverisë ka theksuar se kjo është një ngjarje e rëndësishme, më e madhja nga viti 1912 deri më sot. "Me pavarësinë e Kosovës merr fund një histori koloniale dhe hapet një kapitull i ri paqeje, stabiliteti, integrimi rajonal dhe evropian. Hapen mundësitë për një kapitull të ri midis dy kombeve, atij shqiptar dhe serb, të cilët, pavarësisht nga historia tejet e lodhur, kanë vetëm një rrugë, atë që kanë ndjekur kombet e qytetëruara evropiane, të ndërtojnë një të ardhme të re në paqe, stabilitet dhe prosperitet, për të cilën ne mbetemi thellësisht të angazhuar", tha Berisha. Vlen për t‘u theksuar se Shqipëria është ndër të parat shtete që ka deklaruar hapur dhe fuqimisht se do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe se ky shtet duhet të njihet zyrtarisht edhe nga vendet e tjera. Diplomacia shqiptare ka punuar shumë në këtë drejtim duke vënë në qendër të çdo takimi rëndësinë dhe domosdoshmërinë që ka marrja e pavarësisë së Kosovës për Ballkanin dhe rajonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›