E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gabimet" dhe "arrestimet" kushtojnë 310 milionë lekë

Gabimet e administratës shtetërore në Tiranë, si dhe arrestimet e gabuara nga prokuroria, i kanë kushtuar për vitin që kaloi buxhetit të shtetit jo pak, por 310 milionë lekë të reja, ndërkohë që kanë mbetur ende pa u ekzekutuar edhe 187 vendime të tjera, që do t‘i kushtojnë për këtë vit buxhetit të shtetit 140 milionë lekë të tjera. Për gabimet e vetë punonjësve të shtetit është buxheti i shtetit që paguan. Këto janë vetëm bilancet e Zyrës së Përmbarimit të Tiranës, ndërkohë që shifrat që japin zyrat nëpër rrethe janë shumë herë më të larta. Sipas Drejtorit të Përmbarimit Gjyqësor në Tiranë, z. Arjan Bylykbashi, "në këtë zyrë, gjatë vitit 2007 kanë ardhur për ekzekutim rreth 487 dosje përmbarimore me objekt shtetin debitor, ndërsa janë ekzekutuar rreth 300. Shuma totale e ekzekutuar, d.m.th. e parave të marra nga shteti për këtë vit nga kjo zyrë, është 310 milionë lekë".

Pas Tiranës, "Fiks Fare" kërkoi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit në Ministrinë e Drejtësisë informacion për numrin e vendimeve gjyqësore të paekzekutuara dhe faturën financiare të tyre. Por, nga drejtori i përgjithshëm i Përmbarimit, z. Arben Sefgjini, na erdhi një përgjigje e çuditshme. "Fiks Fare" e kërkoi informacionin në bazë të nenit 23/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit 8503, datë 30/06/1999 "Për të drejtën e informimit". Ndërkohë, drejtori Sefgjini refuzoi të kthente përgjigje, duke cituar disa nene të ligjit "Për të drejtën e informimit", konkretisht nenin 10 dhe 4 të këtij ligji. Meqë na u kthye kjo përgjigje vendosëm të lexonim ligjin, për të kuptuar më mirë arsyen e refuzimit të dhënies së informacionit. Neni 4 i ligjit 8503 "Për të drejtën e informimit", saktëson se "nëse informacioni i kërkuar për një dokument zyrtar kufizohet me ligj, autoriteti publik i lëshon kërkuesit një deklaratë me shkrim, në të cilën tregohen arsyet e mosdhënies së informacionit". Por cili ligj e kufizon dhënien e informacionit që kërkuan gazetarët e emisionit "Fiks Fare" nga Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit? Të gjithë e dimë që statistikat e numrit të vendimeve të gjykatës që ekzekutohen nga Përmbarimi nuk janë sekret shtetëror. Ndërkohë që, nga ana tjetër, në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë përcaktohet qartë se "kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore". Por Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit nuk pranon të japë informacion për numrin e vendimeve të gjykatës të pazbatuara për vitin 2007.

Premtimi

Disa muaj pas ardhjes në pushtet, Kryeministri Sali Berisha bëri dy deklarata publike, e para në tetor 2005, gjatë takimit me kryekomisionierin Priebe, ku premtoi: "Deri në fund të dhjetorit nuk do të ketë vendim gjykate të pazbatuar në Shqipëri, qofshin ato kundër qeverisë, kundër cilitdo". E në fakt, Berisha nuk bëri asgjë tjetër veçse citoi pikën 3 të nenit 142 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që përcakton qartë se "organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore". Në dhjetor të po atij viti, Kryeministri Berisha vendosi si afatin e fundit të ekzekutimit të të gjitha vendimeve të gjykatave datën 20 dhjetor 2005. "Data 20 dhjetor nuk do të ketë vendim gjykate të pazbatuar, vendim të prerë e kam fjalën, vendim përfundimtar. Do të përballen me të gjithë rreptësinë e ligjit, si ata që kanë fjetur mbi vendimet e gjykatave dhe që quhen përmbarues, por që në fakt janë bllokatorë të zbatimit të tyre, edhe ata drejtues institucionesh që e konsiderojnë veten mbi gjykatat...".

Avokatët

Virgjil Karai, sekretar i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë

Më bën përshtypje si është e mundur të konsiderohet vendimi i gjykatës i dërguar për ekzekutim si sekret shtetëror, kur dosjet e gjykatës të të gjitha kategorive janë legale për çdo person të interesuar. Kjo është përgjigje e nxituar. Tregon që personat që janë përgjigjur e njohin pak ligjin, për të mos thënë aspak, madje ju këshilloj t‘ia bëni prezent ministrit këtë përgjigje, sepse jam i bindur që minimumi i minimumit, ai do të fillojë procedimin disiplinor, administrativ që ju dhanë këtë përgjigje, sepse është shkelje e rëndë e ligjit, që për mua mund të shkojë deri në largim nga puna.

Spartak Ngjela, deputet i Kuvendit të Shqipërisë

Për mendimin tim, nuk është sekret shtetëror. Në një demokraci liberale, gjithçka zgjidhet në gjykatë si shkelje e ligjit. E konceptoni si shkelje të ligjit? Çojeni në gjykatë, jepini edhe një faturë dëmi që mund t‘ju kenë sjellë... Të gjitha, gjithmonë në funksion të ligjit. Kuptohet që shifra është e madhe, prandaj ata refuzojnë t‘ua japin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›