Në 100-vjetorin e lindjes së "Mësuesit të Merituar", Abdyl Kajanaku
Abdyl Kajanaku është një personalitet që ka zhvilluar një karrierë të suksesshme në profesionin e mësuesisë e mësimdhënies dhe krijues në didaktikën e psikologjisë. U lind në Elbasan, kur në vendlindjen e tij Kongresi Arsimor vendosi çeljen e shkollës Normale, me të cilën profesori lidhi jetën. Ai, si nxënës e respektoi atë, ndërsa si mësues, si normalist e pedagog me punën e bërë, e nderoi dhe e lartësoi emrin e Normales. Ai e fillon karrierën e mësuesisë në Durrës. Shpejt ndjeu fisnikërinë e profesionit dhe iu dha plotësisht atij. Mori pjesë aktive në lëvizjen teatrore e muzikore të qytetit të Elbasanit, ku dhe u dallua. Bënte pjesë në orkestrën e mandolinave të shkollës, ku u interpretua me sukses pjesa "Lulja e kujtimit" e F. Postolit, krahas Faik Haxhiymerit, Bukurosh Sejdinit, Met Bodinit dhe Vasil Llapushit. Në 1935-ën, Abdyl Kajanaku fillon studimet në shkollën e lartë dhe për këtë zgjodhi Gjenevën, institutin "Zhan Zhak Russo", ku studentët diplomoheshin në shkencat pedagogjike e psikologjike. Ky institut ishte bërë i famoz në Evropë dhe më tej, nga pedagogë të tillë si Piazhe, Klaparedi, Bove etj. Intelektuali i sapoformuar, Abdyl Kajanaku, kthehet në Shqipëri më 1939-ën, jo vetëm i diplomuar, por edhe i pajisur me kulturë perëndimore e në veçanti nga shkolla e lartë Filozofike Pedagogjike Franceze, që përfaqësonte bashkëkohoren shkollore, e që ishte ndërtuar sipas ideve pedagogjike të "Edukatës së Re". Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, e emëron inspektor të lartë pranë kësaj ministrie për arsimin fillor. Një vend pune i favorshëm, që A. Kajanaku të vinte në shërbim të shkollës shqiptare potencialin e vet intelektual pedagogjik që kishte marrë. Ai, në rolin e inspektorit e drejtorit, vëzhgonte nëpër shkolla, nxirrte konkluzione, udhëzonte, organizonte biseda. Ligjëronte vetë tema nga didaktika në kurset e verës së vitit 1940 në Tiranë, ku merrnin pjesë një masë e madhe mësuesish.
Punoi në Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe më pas përsëri kthehet në Elbasanin e tij të dashur, plot dituri e përvojë e si pedagog jep mësim në Pedagogjiken, tashmë të konsoliduar të këtij qyteti, deri në vitin 1975. Si përfaqësues i shkollës aktive, marrëdhëniet e tij me nxënësit ishin të veçanta nga kolegët e tjerë, sepse ato nga profesor Kajanaku karakterizoheshin prej respektit për individin nxënës, për psikologjinë e tij. Në qendër të këtyre marrëdhënieve qëndronte respekti për mendimin e lirë dhe të pavarur të nxënësit. Në një karakteristikë të drejtorisë së Shkollës Pedagogjike të Elbasanit, më 24 qershor të vitit 1948, sipas kërkesës së Ministrisë së Arsimit, për profesor Kajanakun, veç të tjerave, thuhet: "Është udhëheqësi kryesor i pedagogjisë praktike, ka përgatitjen më të lartë pedagogjike, pasi studion gjerë e gjatë pedagogjinë e metodikat, njeh mirë problemet e shkollës fillore e të mesme, ka punuar mjaft për të futur në shkollat ushtrimore koncepte e metoda të reja. Kandidatët kanë gjetur tek ai një udhëheqës të sigurt". A. Kajanaku ka qenë një studiues i palodhur në fushën e dialektikës së psikologjisë së re moderne. Ai bëhet bashkëpunëtor i rregullt i shumë revistave pedagogjike si "Normalisti", "Edukata e re", "Shkolla shqiptare" etj. Në vitin 1939, ai mbron në Gjenevë diplomën me temë studimore "Aftësia praktike e nxënësve", studim i udhëhequr nga shefi i katedrës, prof. Mesli. Bën objekt të punës së tij studimore 120 nxënës të shkollës së Gryklit, në Gjenevë, të nacionalistëve italianë, gjermanë e francezë. Autorit i interesojnë problemet psikologjike të nxënësve, duke i trajtuar ato me kulturë profesionale. Në studimet e botuara në revistat pedagogjike, ai bën objekt veset e prirjet imagjinare të nxënësve. Në studime të tilla si "Higjiena mendore te fëmijët" dhe "Mithomania te fëmijët" objekt janë vjedhja dhe gënjeshtra. Këto dukuri, profesor Kajanaku i trajton në planin psikologjik, zbulon shkaqet e rrugët se si mund të shmangen në procesin e edukimit nga shkolla e familja. Ndër shkaqet profesori evidenton edukatën e keqe, shkaqet efektive, sëmundjet dhe ato të debilitetit mendor. Në rrafshin psikologjik veçon dhe mithomaninë. Interesant është dhe tema e parë që u trajtua disa herë në vitet ‘30, po këndvështrimi i profesor Kajanakut është disi i ngrohtë në trajtim dhe në shpjegim. Ai nënvizoi me guxim konformizmin e plotë dialektik në shkollën e vendeve të lindjes. Ministria i kërkoi dy karakteristika. Gënjeshtrën te fëmijët ai nuk e sheh vetëm si ves, po ashtu edhe te nxënësit, po më shumë si dukuri psikologjike të një moshe që ka nevojë të evidentohet, të bjerë në sy, të një individi që do të hyjë në shoqëri me shpërthim. Ndaj ai vë re se gënjeshtra është fantazi patologjike dhe altruiste heroike. Studimi vazhdon më tej, por me përmasa më të mëdha dhe cilësore kur flet për mithomaninë te fëmijët. Këtu autori futet edhe më thellë në psikologjinë e fëmijës, u lë më shumë vend prirjeve për të thënë të vërtetën për të krijuar përralla imagjinare, që shpesh largohen shumë nga realiteti.
Autori jep ndihmesën në vetëtrajnimin e kuadrit mësues. Prandaj, këshillon autori, mësuesi duhet ta njohë mirë imagjinatën, fantazinë dhe altruizmin, psikologjinë e fëmijës e të nxënësit në tërësi. Studimet dhe konkluzionet e profesor A. Kajanakut bëjnë pjesë në fillesat e trajtimit të këtyre problemeve në shtypin tonë pedagogjik. Ai ishte nxënës i shkollës plotore në Elbasan, i Normales me A. Xhuvanin, i ushtrimores me S. Harrin, A. Myftiu dhe S. Sejdini, i institutit "Zh. Zh. Russo" me pedagogë e psikologë të mëdhenj të rangut botëror. Profesor Kajanaku qe një produkt shpirtëror i tyre dhe diti jo vetëm t‘i respektojë, por dhe mësoi vazhdimisht prej tyre. Ai kujton Klaparedin në një studim me përmasat e një monografie modeste. Në vazhdim, në vitin 1959, me rastin e 50-vjetorit të shkollës Normale, ai kumton me bashkautor për punën e kësaj shkolle në tërësi për zhvillimin e metodave, ndërsa në vitin 1969, përsëri me bashkautor, kumton për pozicionin e shkollës Normale në ngjarjet e vitit 1924. Tek e para ai jep një vështrim kronologjik, ndikimet perëndimore dhe lindore me shkollën shqiptare, alternativë e teknologjisë pedagogjike, njëherazi nënvizon qëndrimet alternative dhe oponente me shkollën perëndimore dhe konformizmin e plotë didaktik me shkollën e lindjes. Kësisoj, i madhi profesor Kajanaku jep mendime të vlefshme për didaktikën dhe historikun e shkollës shqipe. Ai mbetet një nga figurat më të nderuara të arsimit tonë, sepse krijoi vlera didaktike. Vazhdimisht u karakterizua nga një motiv i fortë shërbimi dhe dedikimi profesional i mbështetur nga një kapacitet demonstrues tërësor ndaj profesionit me një nivel të lartë të besimit publik.