E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha "thith" 140 të rinj në PD

Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar dje ceremoninë e anëtarësimit në PD të 140 të rinjve, për t‘iu rikthyer edhe një herë premtimeve për zhvillimin e arsimit dhe për krijimin e kushteve më të mira të rinisë shqiptare. Gjatë kësaj ceremonie, Kryeministri Berisha, njëherësh edhe kryetar i PD-së, ka theksuar se qeveria është e vendosur për të rritur investimet në sektorin e arsimit. Kryetari i PD-së ka shprehur angazhimin e qeverisë për shtimin e fondeve në këtë sektor, me qëllim arsimimin dhe edukimin e të rinjve sipas standardeve bashkëkohore. Ai ka pranuar se kërkesat e rinisë sot janë të shumanshme dhe Shqipëria në kushtet aktuale e ka të vështirë t‘u ofrojë të rinjve atë që ofron një vend i zhvilluar, por, ka theksuar ai, qeveria e ka të detyrueshme të bëjë përpjekje të mëdha për të rinjtë. Duke iu rikthyer edhe një herë premtimit të hershëm për instalimin e internetit në çdo shkollë të vendit, Kryeministri ka theksuar se ky është një premtim i cili pritet të përfundojë brenda këtij viti. Duke u ndalur më shumë te problemi kryesor i të rinjve, shkollimi nëpër universitete, kreu i qeverisë nga foltorja e PD-së ka premtuar se do të rritet numri i studentëve në shkollat e larta. "Sot ne kemi mbi 100 mijë studentë dhe jemi larg jo 54 herë, por 2 herë nga vendet e tjera të BE-së. Ne do të arrijmë në mënyrë të pashmangshme tek 140 mijë studentë të këtij vendi", tha Kryeministri. Ai premtoi se përpjekja e qeverisë do të jetë e vazhdueshme që çdo fëmijë shqiptar që mbaron arsimin e detyrueshëm t‘i krijohen mundësi të plota për të ndjekur arsimin e mesëm dhe dyert e universiteteve të janë të hapura. Berisha ka premtuar rritjen në mënyrë progresive të investimeve për kërkimin shkencor, duke bërë përpjekje për të sjellë nga mbarë bota mendjet e shquara shqiptare, që të kontribuojnë për vendin e tyre. Duke theksuar se më të shquarit në studime do të marrin bursa për të mbrojtur gradat shkencore në universitetet më të mira të botës, mjafton që të aplikojnë dhe të fitojnë të drejtën për t‘u graduar në këto universitete. Gjithashtu, jashtë vëmendjes së Kryeministrit në takimin e djeshëm me të rinjtë nuk kanë mbetur edhe mësuesit, për të cilët kreu i qeverisë ka premtuar rritje pagash. Duke risjellë pjesë nga raporti i fundit i KE-së, Berisha u ka kujtuar të rinjve prezent në sallë se qeveria e tij ka respektuar të drejtat dhe liritë e individit. Sipas tij, viti i kaluar nuk ka shënuar as aktin më të vogël dhe as incidentin më të vogël ndaj gazetarëve. Standardi që ne vendosëm për të ndaluar çdo proces gjyqësor ndaj tyre, çdo padi civile apo penale nga administrata ndaj tyre, në pamje të parë të duket një akt administrativ mekanik, por ky është një akt me pasoja të mëdha dhe direkte mbi lirinë e qytetarëve shqiptarë. Në takimin e djeshëm kanë qenë të pranishëm edhe nënkryetarja e PD-së, njëherësh dhe Kryetare Parlamenti, Jozefina Topalli, anëtarë të kabinetit qeverisës e deputetë të mazhorancës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›