Gjyqtarët: Nenet që kontestojmë nga projektligji i Kuvendit
Varianti përfundimtar i projektligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor nuk u jep zgjidhje problemeve kryesore që ka sot drejtësia shqiptare. Deklarata u publikua dje, në një konferencë për shtyp, nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë, e cila kritikonte Kuvendin për mospërfshirjen e gjyqtarëve në diskutimin e këtij projektligji. Sipas tyre, varianti përfundimtar i projektligjit nuk u jep zgjidhje problemeve kryesore që ka sot drejtësia shqiptare. Në të njëjtën linjë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, shoqata tha se vazhdon të mbetet e pazgjidhur dualizimi i kompetencave të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoratit të KLD-së. "Projektligji nuk e rregullon karrierën e gjyqtarëve dhe pagat e tyre. Nuk është bërë asnjë reformim lidhur me administratën gjyqësore", tha Manjola Bejleri, kryetarja e shoqatës. Si ndryshim pozitiv, Bejleri do të citonte përmirësimin e kushteve për t‘u emëruar gjyqtar në bazë të konkurrimit, kategorizimin e shkeljeve disiplinore të gjyqtarëve dhe heqjen si masë disiplinore të gjobave. Ndërsa si probleme që nuk janë zgjidhur, shoqata renditi përpjekjen e pamjaftueshme për rritjen e pagës së gjyqtarit. "Janë shumë të pakta parashikimet për karrierën e gjyqtarëve, si dhe nuk parashikohet e drejta e gjyqtarit për t‘u ankuar në rastin e mosngritjes së tij në karrierë", tha Bejleri, duke vazhduar se në projektligj nuk parashikohet si kriter për përzgjedhjen e kryetarëve të gjykatave mendimi i komunitetit ku ai do të ushtrojë detyrën. Në konferencë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve tha se deputetët-anëtarë të komisionit nuk kanë kryer asnjë lloj përmirësimi lidhur me administratën gjyqësore, e cila është pa status të veçantë. Sipas tyre, "burrat e shtetit" kanë punuar me nxitim, duke parashikuar që tani një shtesë të këtij ligji për boshllëqet që ai përmban. "Shoqata konsideron si hap pas për zhvillimin apo reformimin e gjyqësorit faktin që administrata gjyqësore të emërohet apo shkarkohet nga kancelari. Kujtojmë se ky i fundit emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë", tha Bejleri. Sipas saj, si kancelari ashtu edhe administrata gjyqësore janë në shërbim të gjyqtarëve dhe jo të Ministrisë së Drejtësisë. Ajo tha se mbikëqyrja e hedhjes në short të çështjeve gjyqësore nuk mund të jetë kompetencë e kancelarit, sepse për nga niveli hierarkik që ka një kancelar, nuk mund të marrë vendime kundrejt një gjyqtari lidhur me procedurat e shortit. "Kjo është një veprimtari administrative, që duhet të mbikëqyret nga kryetari i gjykatës dhe kancelari të ketë një rol ndihmës", tha kryetarja e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Manjola Bejleri. Në fund të konferencës për shtyp, Bejleri tha se u bëjmë sërish thirrje deputetëve të Kuvendit që t‘i shërbejnë realisht reformimit te drejtësisë, duke miratuar ligje që rrisin garancitë për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, integritetin e tij dhe jo kundër interesave të gjyqtarëve e publikut.