Porti i Vlorës, 30 milionë euro për të bërë "makijazhin" e ri
Rikonstruksioni i Portit të Vlorës tashmë është futur në rrugë të mbarë. Rregullimi i tij do të kalojë në 6 faza. Ditët e fundit në Drejtorinë e Portit të Vlorës kanë mbërritur përfaqësues të "Cooperazione Italiana", të cilët janë njohur me projektin fillestar të portit, i cili është përgatitur disa vite më parë. Gjatë këtij takimi italianët u njohën më nga afër me detajet e projektit, si dhe vendin ku do të ndërtohet porti. Sipas drejtorit të Portit të Vlorës, Kreshnik Alimerko, vizita e ekipit italian është një dëshmi konkrete për nisjen e realizimit të këtij projekti, i cili për gati 10 vjet ka qëndruar në letër. Pritet që ekipi italian të zhvillojë një takim në Ministrinë e Transporteve dhe Punëve Publike në lidhje me nisjen e projektit. Sipas Alimerkos, së shpejti Porti i Vlorës do të jetë konkurrues për sa u përket standardeve dhe kapaciteteve që do të ketë. Ai ka shtuar se projekti i parë do të rishikohet pasi tashmë ka kaluar një kohë e gjatë dhe çdo gjë do të jetë bashkëkohore. Në takim kanë qenë pjesëmarrës ekspertë të ndryshëm të cilët njohin pozitën gjeografike së bashku me klimën, që do të ndikojnë që projekti të jetë sa më i përshtatshëm për qytetin e Vlorës.
Gjysma e fondeve janë dhënë nga "Cooperazzione Italiana", pas një marrëveshjeje të arritur disa muaj më parë mes qeverisë shqiptare dhe "Cooperazzione Italiana", është arritur që të sigurohen fondet e nevojshme për të zbatuar këtë projekt. I vetmi rikonstruksion që është kryer përgjatë këtyre viteve është ringritja e pjesëve të betonit, të rëna si pasojë e amortizimit të portit, si dhe të kalimit të mjeteve të rënda në të. Përgjatë këtyre viteve porti ka pësuar shumë minirikonstruksione ose më saktë stukime në pjesë të ndryshme, të cilat jepnin një ndihmë shumë të vogël për t‘i dhënë një identitet këtij porti, që është më i rëndësishmi pas Portit të Durrësit. Projekti i hartuar 10 vjet më parë nga firma angleze GIBI do të pësojë ndryshime të theksuara, pasi sipas drejtorit, duke kaluar dhe një kohë kaq e gjatë, shihet e arsyeshme që dhe projekti të ecë me hapin e kohës. Për zbatimin e fazave duhet një shumë prej gati 30 milionë eurosh. Tashmë një pjesë e tij është siguruar dhe pritet vetëm zbatimi i projektit në tri fazat fillestare. Një pjesë e rëndësishme që hyn te funksionimi sa më eficent i portit është dhe krijimi i lidhjes së Rrugës Transballkanike me Terminalin, në mënyrë që në hyrje të portit mos të krijohen bllokime rruge apo probleme të tjera për sa i përket qarkullimit. I gjithë projekti është i ndarë në 6 faza, i cili përfshin shtimin e kalatave dhe ndriçimin e strukturës detare, ndërsa tri fazat e fundit janë kryesisht punimet në ambientet e portit në tokë. Faza e parë do të jetë zgjerimi i kalatës perëndimore deri në gjysmën e seksionit të saj, njëkohësisht do të kryhet dhe mbushja e kalatës së trageteve