Aksidenti në port, vdes punëtori i ngarkim-shkarkimit
Nuk do të kthehet më në shtëpi. Jeta e tij është këputur në mes nga një hekur në kokë, ndërsa po hetohen rrethanat në të cilat ndodhi vdekja e punëtorit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në hambarin e një anijeje që po përpunohej në Portin detar të Durrësit. 58-vjeçari, banues në zonën informale të ish-kënetës, ka qenë duke shkarkuar në anijen "Koravi", kur ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes së fortë nga një hekur që i ka rënë në kokë. Burime nga Kapitaneria e Portit detar të Durrësit bënë të ditur për gazetën se anija me flamur shqiptar ka qenë duke bërë shkarkimin e ngarkesës së saj në çimento kur ka ndodhur ngjarja. Viktima, Ajet Kalari, punonte si hamall në port në ngarkim-shkarkimin e anijeve të ndryshme tregtare. Puna i siguronte të ardhurat aq shumë të nevojshme për familjen e tij të varfër. Shokë të tij thonë se 58-vjeçari ishte i kënaqur që kishte këtë punë për të siguruar nevojat bazë për familjen e tij. Ajeti ka qenë duke punuar ditën e djeshme, ashtu si ditët e tjera në kërkim të fitimit ditor. Po e shtuna nuk ka qenë dita e tij. Burimet policore portuale thanë se vdekja i ka ardhur nga një hekur që i ka rënë në kokë, ndërsa ndodhej në hambarin e anijes "Koravi" me ngarkesë çimentoje. Goditja ka qenë shumë e fortë dhe i ka shkaktuar vdekjen e shpejtë, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar shefi i krimeve të komisariatit të policisë së portit detar, si dhe pjesa tjetër e grupit hetimor që po punojnë për zbardhjen e ngjarjes. Një pakujdesi, apo diçka përtej saj, kanë qenë pyetjet e formuluara menjëherë prej tyre. Nga hetimet e para rezulton se ngjarja ka qenë aksidentale, megjithatë hetimet vazhdojnë. Gjithashtu po hetohet edhe mbi masat e sigurisë për jetën në anijen ku po punohej. Ndërkohë, në anijen tregtare është bllokuar shkarkimi deri në momentin e sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes. Vdekja e hamallit të portit nxjerr në pah, përtej fatit të keq dhe tragjedisë së personit që humbi jetën dhe familjes së tij, edhe një problem social që lidhet me sigurimin ekonomiko-social të familjes së viktimave të punës.