E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderimet, ngërçi i Portit të Durrësit

Auditi i Brendshëm i Autoritetit Portual të Durrësit konstaton përgjatë një viti shkelje të ndryshme në portin detar. Shkeljet kapin vlerën e mbi 7 milionë lekëve të reja. Ndërkohë, viti i kaluar ka qenë problematik dhe për sa u përket procedurave të tenderimit. Përveç auditit ministror dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Portin detar të Durrësit ka vepruar rregullisht edhe Auditi i Brendshëm, i cili në 14 misione auditimi të kryera ka konstatuar shkelje administrative, shkelje të disiplinës financiare dhe shkelje të tjera me dëm ekonomik. Kështu është audituar puna në tetë sektorë, ku janë konstatuar edhe shkeljet. Vendin kryesor e zënë shkeljet administrative, ndërsa vlerën më të madhe të dëmit e kapin 4 shkeljet e disiplinës financiare me 6 milionë lekë. Për rastet e konstatuara janë dhënë 55 masa administrative dhe 4 masa zhdëmtimi. Detyrat e lëna nga Auditi i Brendshëm i Autoritetit Portual janë zbatuar në shumicën dërmuese të tyre. Kështu, 48 nga masat administrative të dhëna janë zbatuar. Ndërkohë, detyrat e lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, sipas drejtorit të përgjithshëm të APD-së, Eduard Ndreu, janë ndjekur me vëmendje të veçantë dhe janë realizuar më së miri, ndërsa detyrat e lëna nga Auditi i Brendshëm i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit janë zbatuar tërësisht. Në këtë kuadër u është kërkuar në rrugë zyrtare agjencive, që përpunojnë pasagjerë dhe mjete transporti, që të mos aplikojnë tarifa imbarkimi ndryshe nga ato të miratuara në kontratat dypalëshe. Shpesh në periudhat e fluksit këto agjenci kanë abuzuar duke diktuar tarifa të ndryshme, më të larta se ato në kontrata. Ndërkohë janë arkëtuar detyrimet e lëna për debitorët, janë evidentuar dhe është bërë rakordimi me të gjithë operatorët portalë për kamat-vonesat në pagesat e vonuara të faturave, si dhe janë marrë masa që të gjitha pagesat e kryera me bankë dhe arkë të bëhen konform ligjit "Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare".

Procedurat e tenderimit në Autoritetin Portual Durrës mbeten më të përfolurat. Shumë tendera të realizuar nuk janë njohur për shkak të shkeljeve të konstatuara në to dhe kjo është kthyer në një problem më vete për portin më të madh në vend. Nga Agjencia e Prokurimit Publik janë anuluar 3 procedura prokurimi. Tenderi i hapur "Rikonstruksion i linjës hekurudhore në Kalatën Lindore" është anuluar për arsye të konfliktit të interesit, ndërsa dy tenderat e tjerë, ai për "Blerje goma" dhe "Blerje pajisje informatike" janë anuluar nga APP për arsye që lidhen me hartimin e DT dhe specifikime teknike. Gjithsesi, tenderat e këtyre blerjeve janë përsëritur dhe janë lidhur kontratat përkatëse. Gjatë vitit të kaluar është anuluar nga Agjencia e Prokurimit Publik një procedurë për skualifikimin e operatorit ekonomik për konflikt interesi. Ndërkaq nuk kanë mundur të konkretizohen 14 objekte prokurimi, për të cilat janë zhvilluar 22 procedura. 21 procedura janë anuluar nga ana e Autoritetit Portual, 7 nga të cilat për mospjesëmarrje të operatorëve ekonomikë, 13 procedura për klasifikim të ofertave si të pavlefshme dhe një për arsye të zhvillimit të procedurës.

Gjatë analizës vjetore të punës së APD-së u deklarua se janë kryer 70 procedura prokurimi me fond të parashikuar në vlerën e 1.5 miliardë lekëve, për të cilat kanë konkurruar 267 operatorë ekonomikë. Përgjatë 2007-ës janë konkretizuar procedurat për 45 objekte prokurimi me fond limit 1.2 miliardë lekë dhe me vlerë të kontraktuar 1 miliard. Sipas Ndreut, prokurimi i 45 objekteve është realizuar në masën 82,7% të fondit të planifikuar, duke kursyer rreth 208 milionë lekë. Vlera e prokuruar vitin e fundit në këtë port detar është rreth 15 herë më e lartë se ajo e realizuar vitet e mëparshme. Ndërkohë janë kryer edhe 61 natyra prokurimi me vlerë të vogël, që kapin një fond prej 15.9 milionë lekë.

Statistika

Realizimi i shifrave të portit brenda një viti

Në një vit, të ardhurat e portit më të madh të vendit janë realizuar në masën e 2056409000 lekëve, ose 89.3 milionë lekë më shumë se viti 2006. Shpenzimet kanë kapur vlerën e 1,4 miliardë lekëve. Kjo masë është më e ulët krahasuar me shpenzimet e vitit paraardhës, kur u përdorën 65,6 milionë lekë më shumë. Viti 2007 është konsideruar si i suksesshëm nga Autoriteti Portual Durrës. Sektori i financës ka raportuar se fitimi është realizuar në masën 646932000 ose 154934000 lekë më shumë se në vitin 2006.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›