E Diel, 1 Nëntor 2026

Dondollaku: Njohja ime me Aldo Baren

Krahu i djathtë i Bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, ka rrëfyer njohjen me Aldo Baren. Para një gjykate italiane ai ka deklaruar se me të është njohur në varrimin e Ramadan Shkurtit, vëllain e Bares, i ekzekutuar nga Artur Daja. Sipas dëshmisë, Dondollaku është zotuar se do të marrë hak për vrasjen e shokut të tij. Pas këtij episodi kanë vijuar ekzekutimet mafioze në qendër të Lushnjës. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, në dosjen ndaj trafikut të drogës që është aktualisht nën hetim nga Krimet e Rënda mund të rihapen edhe disa vrasje. Për ndihmëse të hetimit, hetuesit e çështjes i kërkuan drejtësisë italiane marrjen në pyetje të Enver Dondollakut. Ai ka pranuar t‘i përgjigjet grupit hetimor shqiptar, duke deklaruar edhe lidhjet me kreun e Lushnjës, për të cilin tha se është njohur në varrim. Mësohet se Dondollaku ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga prokuroria për vrasje dhe trafik droge, duke i cilësuar si të pabaza.
Policia do të më vriste

Ai ka akuzuar policinë shqiptare se do ta vriste. Gjatë dëshmisë para tre prokurorëve shqiptarë, Dondollaku ka deklaruar se "forca të policisë po punonin për vrasjen time". Më tej ka vijuar se kishte mësuar se elementë të caktuar kishin "paguar" forcat blu për ekzekutimin. Gjatë gjithë dëshmisë, Dondollaku ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj akuzave që e lidhin me Bandën e Lushnjës, duke pohuar se akuzat ndaj personit të tij janë false. Me përgjigje të shkurtra Dondollaku u është përgjigjur pyetjeve për lidhje të mundshme me Aldo Baren. Ka mohuar në mënyrë kategorike lidhjet me këtë person, por thotë se ai (Aldo Bare) mund t‘i ketë kryer krimet që prokuroria ka dërguar për gjykim në gjykatë. Në këtë mënyrë, drejtësia shqiptare ka siguruar edhe një dëshmi tjetër që "fundos" kreun e një prej organizatave kriminale më të fuqishme në vend. Burime nga akuza qendrore thanë se dëshmia e Enver Dondollakut do të përdoret në gjykatë si prova e akuzës. Gjatë dëshmisë, anëtari i Bandës së Lushnjës, i arrestuar në Itali dhe i dënuar me 16 vjet burg, ia ka hedhur të gjitha akuzat Aldo Bares, ndërsa shpreson se drejtësia shqiptare nuk ka asnjë provë kundra tij. Burimet nga akuza qendrore thanë se Dondollaku, gjatë dëshmisë është pyetur nëse ka pasur mbështetje nga njerëz me imunitet apo persona publikë gjatë kohës që ka qëndruar në Shqipëri. Me një përgjigje të thatë ka thënë: "Jo".

Trafiku i drogës

Dondollaku ka deklaruar se në Itali ka pranuar akuzën e "shpërndarjes së lëndës narkotike", por nuk është dakord me masën e dënimit. Sipas tij, drejtësia italiane i ka dhënë maksimumin e dënimit që përmban Kodi Penal italian. Më pas tha se çështjen do ta kalojë në Gjykatën e Apelit, duke e pranuar akuzën, por shpreson për ndonjë ulje të mundshme, pasi akuzohet vetëm për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe jo për trafikim. Mësohet se dëshmia e Enver Dondollaku ka sjellë 34 arreste në Itali. Të arrestuarit bëjnë pjesë në bandën e ish-punonjësit të repartit special të Policisë Shqiptare, i konsideruar "kapo" i një organizate potente kriminale e konsideruar Banda e Lushnjës, i cili është arrestuar në Turqi dhe quhet Alfred Shkurti. Dondollaku ka deklaruar se ai (Aldo Bare) është organizatori i një vatre trafiku të drogës në Itali, e cila është goditur nga policia e qytetit të Torinos, Itali, pas një hetimi prej katër vjetësh. Ky hetim i policisë ka sjellë arrestimin e 34 personave, të cilët janë lokalizuar falë edhe bashkëpunimit të Prokurorisë Antimafia. Hetimi, i cili është ndihmuar edhe nga pendimi i Enver Dondollakut, ka mbledhur të dhënat në muajin maj të vitit 2002, pas arrestimit të një shtetasi italian, i cili është akuzuar se ka qenë një "korrier" i një grupi trafikantësh heroine.

Ngjarja

Vrasja e Ramadan Shkurtit

në ‘97-ën në Lushnjë

Sipas prokurorisë, në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë Ramadan Shkurti, i vëllai i Alfred Shkurtit me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë Bare, së bashku me Ramadan Shkurtin, Enver Rabijën dhe Bardhyl Rabijën janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja. Kur janë afruar disa metra, Bare, së bashku me personat e tjerë, kanë qëlluar me armë lokalin ku ndodhej Tur Daja. Pas fillimit të goditjes, edhe nga ana e lokalit kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej Daja. Në verandën e lokalit, nën shoqërimin e Tur Dajës, ndodheshin familjarë të tij, Gramoz Selmani etj. Pas shkëmbimit të zjarrit, Aldo Bare së bashku me të plagosurin Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit. Në vendngjarje mbetën të plagosur Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares dhe Bardhyl Rabija. Prokuroria thotë se mbeti i plagosur edhe Tur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti i qëllon me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen. Ndërmjet Dajës dhe Bares ka filluar një konflikt që nga viti 1996, për vrasjen e vëllait të tij, ku Bare ka akuzuar Tur Dajën. Pas vrasjes së vëllait të tij, Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj Dajës, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën Bandën e Lushnjës. Fillimisht në këtë grup u mblodhën Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të Aldo Bares e vëllait të tij, Ramadan Shkurtit, të vrarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›