E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa, fitore bindëse ndaj Vllaznisë

Besa kthehet përsëri në grupin e skuadrave që pretendojnë për një vend në Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm. Skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova ka mundur dje minimalisht 1-0 Vllazninë, falë një goli të Mancakut. Ndonëse ekipi shkodran kishte udhëtuar me shumë pretendime drejt Kavajës, nuk ka arritur të shprehë thuajse asgjë nga loja që e ka mbajtur pranë kreut gjatë dy fazave të para, duke konfirmuar një krizë që rrezikon objektivat sezonalë.

Që në fillimin e pjesës së parë, dukej qartë se Starova kërkonte vetëm fitore në këtë sfidë, pasi aktivizoi njëkohësisht katër lojtarë me tipare krejtësisht sulmuese, pasi përveç Xhihanit e Fortunat, në fushë ishin edhe Mancaku e Shaqiri. Ndërsa Vllaznia u shfaq shumë e tërhequr në mbrojtje, duke i lënë nismën skuadrës kavajase që provon në të gjitha mënyrat të çajë mbrojtjen e ngjeshur shkodrane. Drithërima e parë vjen në minutën e 10-të, kur Shaqiri ekzekuton një goditje dënimi që përfundon në këmbët e Prognit. Ish-lojtari i Partizanit shënon në portën e mbrojtur nga Bishani, por goli anulohet për shkak të pozicionit jashtë loje të mesfushorit të Besës. Vetëm një minutë më pas, Progni mundohet përsëri të gjejë rrugën e rrjetës me një gjuajtje nga jashtë zonës, por Bishani grushton, duke larguar rrezikun. Vllaznia e kupton që duhet të sulmojë për të ndalur ritmin e kavajasve dhe Sinani me Hotin provojnë dy herë radhazi të vënë në vështirësi kavajasit, por gjuajtjet e tyre kalojnë jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Dura. Besa kundërpërgjigjet me një goditje dënimi të shkëlqyer të Shaqirit, i cili gjuan nga rreth 35 metra, por vetëm shtylla pingule i mohon gëzimin e golit. Mesfushori përsërit "specialitetin" e tij në minutën e 30-të, nga një distancë po aq e largët, por këtë radhë Mancaku arrin të devijojë saktësisht në rrjetë topin, duke kaluan në avantazh skuadrën vendase. Vllaznia duket e shpërqendruar dhe kavajasit dominojnë lehtësisht në fushë, duke fituar disa goditje radhazi nga këndi. Është përsëri Shaqiri që provon të gjejë rrugën e rrjetës me një gjuajtje direkte nga flamuri, por këtë radhë topi përfundon në pjesën e sipërme të traversës, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me avantazhin minimal të vendasve.

Në pjesën e dytë, vendasit humbasin pak terren, duke i dhënë mundësinë shkodranëve të zhvendosin lojën në gjysmëfushën e Besës. Por Starova vendos të ndryshojë skemën, duke aktivizuar Mihanin në vend të Fortunat, për të garantuar më shumë mbulim nga krahët, ku janë përqendruar sulmet e skuadrës shkodrane. Sinani ka dy herë mundësinë të dërgojë topin në rrjetë, por gabon në gjuajtjen e tij, duke mos arritur të vërë baraspeshën në shifra. Në minutat e fundit, Vllaznia rrezikon të pësojë edhe golin e dytë, këtë radhë pas një devijimi të Kapajt ndaj harkimit të Xhihanit, por fatmirësisht, topi i prekur nga mbrojtësi kuqeblu përfundon jashtë ngjitur me shtyllën. Ky ishte edhe rasti i fundit i një ndeshjeje të luftuar deri në minutën e fundit, ku kavajasit në fund i janë falur atij goli të vetëm që i mban në grupin e skuadrave që pretendojnë për pjesëmarrjen në Kupat e Evropës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›