E Diel, 1 Nëntor 2026

"Big Brother Albania", bien maskat, nis nominimi

Mund të thuhet se "Big Brother", ai që ngërthen, provokon, nxeh, nervozon, godet, fton, largon, emocionin, pra "Big Brother" si nerv, nisi pikërisht mbrëmë. Pyetja e parë që u bëri konkurrentëve drejtuesja e spektaklit, Arban Osmani ishte: "Si ndiheni pas një jave aty?". Më pas, mes saj dhe çdokujt prej tyre nisi një dialog që kishte të bënte me ndodhitë më pikante të javës. Arbana bëri fillimisht dhe një provokim, i cili u çoi të dridhurat. "Ju - tha ajo duke iu drejtuar konkurrentëve, - jeni bërë më të famshmit në Shqipëri e kudo ku ka shqiptarë, për një javë, por sonte njëri prej jush duhet ta lërë shtëpinë". Pas kësaj fjalie, te konkurrentët u shfaq menjëherë ajo që quhet ndryshe si "prishje qejfi": kush e shprehu me pasthirrma, kush duke mbetur pa fjalë, dikujt duke iu ngrirë buzëqeshja, por pas një topitjeje, Arbana u tha se ishte thjesht një shaka. "Big Brother" si "Big", filloi që mbrëmë, kur të gjithë një e nga një, shkuan në dhomën e fshehtë dhe nisën të rrëfehen një e nga një. Filluan t‘i thonë ato çka objektivat e kamerave nuk e rrokin dot; atë që fshihet në gjokse e në mendje te çdokush për njëri-tjetrin. Nisi njohja e imtësishme për secilin, nëpërmjet fjalëve të secilit dhe opinioneve të ndërsjella. Nisën të konturohen qartë simpatitë dhe antipatitë, afinitetet dhe alergjitë, parapëlqimet dhe paragjykimet. Hipokrizia nisi të gjunjëzohet dhe të dalë në shesh e vërteta; ajo njerëzore, e cila gjithnjë ka një maskë që duhet çjerrë. Kjo nisi mbrëmë, kur filluan dhe nominimet. Te dhoma e fshehtë, filluan të përmenden emrat e atyre që duhet të ikin, të dalin nga shtëpia, për një mijë arsye, ose pa asnjë arsye. Ky është "Big Brother". Ndërsa në studion e madhe të spektaklit, aty nga drejtonte Arbana, nisi beteja tjetër: ajo mes familjarëve dhe të afërmve. Nga ç‘u pa, javë pas jave, kjo betejë që sapo ka nisur, do ta shtojë spektaklin. Tashmë, fjalën e kanë sms-të e publikut. Emrat e dominuar për t‘u larguar do të votohen dhe, të shtunën jepet verdikti për atë që duhet të mbledhë plaçkat.

Ǒndodhi javën e parë

Kush do të jetë i pari që do të lërë pas pragun e shtëpisë më të përfolur shqiptare? Përgjigjja e kësaj pyetje do të mund të prodhojë një tjetër seri ngjarjesh mes 14 banorëve. A do të mbizotërojë dashuria, argëtimi apo intriga? Kushdo që ka filluar të jetojë jetën e banorëve përmes ekranit mund të bëjë dhe parashikimet e sakta.

Najada, vajza fierake me tatuazhe ka arritur të fitojë pa shumë mund simpatinë e meshkujve. Ajo zgjodhi Olsin për të këmbyer përvojën e masazhit dhe në të njëjtën kohë u kthye në më të shigjetuarën e vajzave dhe zbuluesen e karakterit të djemve. Në bisedat mes banorëve e quan shok të mirë dhe ndër të vetmit që mund t‘i shkojë fjala më mirë mes banorëve.

Simpatia e çlirët mes të dyve i ka dhuruar dhe kundërshtaren e parë: Inën, e cila sa herë fillon të komentojë me ndonjë nga banorët sjelljen e "noçes"(emri me të cilin e thërrasin pjesa më e madhe, e di se çfarë do të thotë: "Nuk e duroj dot", apo "E kam shumë inat".

Sfilata e së premtes e vajzave të veshura me të zeza identifikoi grupin e parë të rivaleve. Ingridi, Juna, Julinda, Ina dhe Besarta zgjodhën të "zbukuroheshin" pa pasur vërdallë Najadën dhe Rominën. Kur Arbri u bë kurioz për këtë ndarje, përgjigjja që mori nga Juna ishte: "Kaq janë femra. Pjesa tjetër janë meshkuj".

Po kaq mjaftoi për të nxjerrë anën tjetër të këngëtares bukuroshe. Shënjestra e Junës u bë Astriti. Pas shumë debatesh me të mbi origjinën dhe mënyrën e tij të jetesës, situata i del jashtë kontrollit te sfilata në kopsht. Të dy bashkë nuk ranë dakord për mënyrën sesi do të ecnin në pasarelën e improvizuar të shtëpisë. Kaq mjaftoi që Titi të rifitonte nofkën "katunar".

Një nofkë që banorët e tjerë do ta shfrytëzonin për mirë një ditë para spektaklit, kur Shkëlqimi hodhi idenë për të përgatitur pilafin (meqë ai ia kishte marrë dorën në lokalin e vet në fshatin Kllojkë) dhe Arbri e Julinda gjetën tek ai shpëtimtarin e zjarrit, provës sfilitëse të javës.

Mbajtja e flakës gjallë shkëmbeu çiftet dhe u tregoi banorëve se të jetosh në shtëpinë e "Big Brother" nuk ishte aq e lehtë sa e kishin menduar. Ata duhet të mos flenë, të durojnë të ftohtin ditën dhe natën, të rrinë me ndonjë pasi sapo kanë bërë sherr. Të gjitha këto për të siguruar më shumë të ardhura për javën në vazhdim.

Këtë javë ia "hodhën" dhe shpenzimet do të rriten me 50 për qind më shumë se një javë më parë. Megjithëse në fund të javës së parë rrezikuan të mbetnin pa ushqime, kur në spektakël u pyetën se cili ishte ushqimi i preferuar përgjigjja "live" ishte cigaret.

Por prova e zjarrit tregoi më mirë se kush shkon mirë me kë e kush do ta ketë të vështirë të integrohet mes banorëve.

Shkëlqimi, ish-polici 38-vjeçar zbuti tonet e hoqi të folurën urdhëruese me banorët e tjerë më të vegjël në moshë. Leonardi, bojaxhiu i tërhequr (dhe një nga të stresuarit e mungesës së cigareve) shpesh e quante "psikologu i shtëpisë". Por ditët e fundit të javës Çimi e pranoi para banorëve se e kishte nisur gabim jetën në shtëpi, ndaj në ditët të vazhdim ai do të ishte më i zbutur. Ky është një lajm i mirë për Rominën, por pak rëndësi ka për Ingridin, gruan e divorcuar dhe nënën e dy vajzave.

Nga gjithë banorët e tjerë (pa përfshirë grupin e aleancës Juna- Julinda- Besarta) ajo perceptohet si e stresuar dhe e fiksuar pas idesë se "kush përpiqet t‘i ofrojë miqësi, pa diskutim këtë e bën për të mos iu përmendur emri në dhomën e rrëfimeve si një nga kandidaturat që duhet votuar për të dalë jashtë shtëpisë.

Djali me të cilin i ecën më shumë biseda është Poli. Ky bashkë me Arbrin dhe Ervisin formon grupin e djemve të mirë të shtëpisë që deri tani kanë zgjedhur për të qëndruar më të rezervuar, duke ia lënë javëve në vazhdim sensin e protagonizmit. Sens që javën e parë e zotëruan Shkëlqimi, Najada dhe Olsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›