Kur "Llambi" ndihet me fat për bashkëshorten
I qeti Llamb, është ndryshe në jetë. Është vërtet i qetë, e thënë pa sforco kjo; pa atë dozën e ashpër ironike, buruar nga një parehati e bezdisje deri në kufijtë e çmendurisë... si pasojë e së shoqes trushkulur, Edrës, që përkundër emrit simpatik, na vjen me një portret terrorizues, siç e përcjell Llambi me një vizatim aq mjeshtëror me gjuhën e gjesteve, mimikës, fjalëve e psherëtimave. Llambi është i vërtet i qetë në jetë. Këtë na e siguron ai që e krijoi Llambin, Romir Zalla, jeta bashkëshortore e të cilit, nuk e detyron të jetë as psikolog. Ai thjesht e konsideron veten me fat që e ka konturuar dhe jetën e përditshme artistikisht, pa qenë i detyruar të bëjë gjithnjë aktorin, por ama gjithnjë profesionistin e artit skenik. Ndaj, në intervistën e mëposhtme, ai flet dhe si pedagog e për këtë arsye, provon të vejë gishtin mbi plagët e artit skenik sot.
Ju, nuk keni qenë fare i panjohur kur u ngjitët në skenën e "Portokallisë". Por Llambi pa dyshim ishte i panjohur. Nga e gjetët?
Më gjeti. Llambi më gjeti mua. Llambi më imponoi një mënyrë tjetër perceptimi mbi martesën. Më imponoi një ritëm tjetër të menduari, të punuari, të jetuari...pavarësisht se gjithmonë thotë "jam i qetë"
Bashkëshortja juaj është një regjisore e njohur televizive. Merrni sugjerime ose këshilla prej saj, por jo duke qenë Llambi. Thjesht Romiri aktor...
Suela në radhë të parë është një aktore e shkëlqyer, pastaj është dhe një regjisore shumë e mirë. Sugjerimet, vërejtjet, por dhe komplimentet janë pjesë normale e marrëdhënies sonë profesionale. Sigurisht që këto janë reciproke. Por më ndihmon shumë. Jam me fat që e kam në krah sidomos për këtë pjesë, pjesën e vërejtjeve në profesion.
Ju jeni përfshirë në "Portokalli" sezonin e dytë në mos gaboj. Më ç‘sy e pe të parin teksa nuk ishit protagonist?
Unë jam përfshirë në "Portokalli" që në sezonin e parë. Protagonist nuk kam qenë tri seritë e para të sezonit që të them të drejtën nuk i kam ndjekur. I kam parë më vonë pasi hyra vetë dhe pashë që "Portokallisë" i mungonte Llambi. Them se edhe sot, "Portokallisë" i mungojnë Llambi, polici, Miti, Adela...me një fjalë personazhet monologiste.
Kthehemi te rolet. Si te Llambi, por dhe te të tjerët, sidomos në dyshen me Marin Ohranasin, edhe pse luani viktimën, jeni një personazh i gatuar me inteligjencë. Ju shkojnë këto role?
Dyshja Endri dhe Tobi u vlerësua shumë nga publiku si dyshe fine, inteligjente dhe gati-gati "angleze", sepse humori ishte i hollë, ironik dhe ngacmues. Ne ndonjëherë pa dashje bëjmë një gabim të vogël kur e konsiderojmë publikun jo shumë të hollë dhe "të lodhur nga hallet dhe problemet e jetës" dhe hajt ta argëtojmë me gjëra "të thjeshta", por harrojmë që publiku ynë është kultivuar me ironinë e humorit korçar, "spondin" e humorit shkodran etj. Prandaj dhe dyshe si Endri dhe Tobi, Pacienti dhe Psikologu apo dy biondët kaçurrelë pëlqehen dhe do pëlqehen gjithmonë.
Çfarë i ka sjellë "Portokalli", artit skenik shqiptar?
"Portokalli" mbi të gjitha është një trupë që operon mbi ligjet e tregut të vlerave. Ka një rritëm të paparë pune. Derdhen energji të pashtershme dhe ka një rendiment të shkëlqyer. Arti skenik shqiptar duhet të vrapojë pak dhe në mos kap dot kohën të paktën të na kapë ne.
Dhe meqë jemi tek arti skenik, flitet për një krizë sidomos në teatër. A keni ndonjë koment për situatën në fjalë?
Situata është kjo: Në treg janë 10 artistë dhe 5 lekë. Këto lekë (politika kulturore e shtetit, investimi dhe sponsorizimi i artit) i marrin 2 kokrra që janë artistë mediokër, por menaxherë shumë të mirë dhe me akses nëpër parti. Ata që janë realisht të aftë presin "ditën e madhe" që të punojnë, kur vlerat të zënë vendin e tyre; kur pikë referimi të jetë vlera (se sot të gjithë jemi të përkryer, shumë të aftë, talenti po na rrjedh nga veshët me një "perpendikulare hyjnore"... )
Për shumë vite, ju keni qenë dhe regjisor televiziv. Të del e të mjafton besoj "Portokalli" (në kohë e impenjim), për të mos iu kthyer pasionit të dikurshëm. Kjo është arsyeja?
Unë kam punuar si regjisor televiziv për gati 8 vjet në dy televizione kombëtare private. Eksperienca ime e fundit si regjisor ishte te "DigitAlb" me serialin didaktik për fëmijë "Të luajmë shkollash". Nuk kanë të krahasuar. "Top Media" është një makinë mediatike që të jep mundësinë e të ofron kushte; të vlerëson për atë që jep dhe të promovon gjithçka të mirë e të vlefshme që ti ke. Mjafton të kapësh këtë shans.
Po ashtu, ju jeni dhe pedagog në Fakultetin e Artit Skenik në Akademinë e Arteve. Cilat janë mangësitë dhe përparësitë e sotme në metodikat që lëvrohen dhe formimin e studentëve?
Për mua metodat dhe programet mësimore duhet të rishikohen. Stanislavski nuk është ai që na kanë mësuar ose ne e kemi lexuar gabim. Ndërkohë, ka dhe Piter Brook, Uta Hagen etj. Jemi në 2008 dhe misioni i teatrit duhet të jetë shumë më i fuqishëm. Teatri duhet të jetë më i gjallë. Këto duhet t‘u mësojmë studentëve, që për hir të së vërtetës duhet thënë që janë një brez (pas ‘90-ta) me një vrimë të zezë në memorie, ku janë bërë hasha shumë gjëra. Brez pa instinkt, pa energji, pa pasion dhe qëllime në jetë.
Dhe një pyetje e fundit, cili është roli me të cilin do i prezantoheni publikut në sezonin e ri të "Portokallisë" që nis pas disa ditësh?
Me dyshen Endi dhe Tobi, Psikologun dhe pse jo dhe monologë nga jeta sociale, si qytetar, thjesht si aktori Romir Zalla.