E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari nuk di si fitohet, ndalet edhe nga Teuta

Skuadra e Flamurtarit është ndalur dje në shtëpi, në një barazim 2-2 përballë Teutës, i 11-ti për skuadrën e Memushit në 22 javë kampionat. Durrsakët kanë vuajtur shumë në stadiumin vlonjat, por janë larguar të kënaqur me pikën që kanë marrë, pasi shohin më nga afër mundësinë për të dalë nga zona e rrezikshme e renditjes. Ndeshja ka filluar menjëherë nën ritmin e skuadrës vendase që ka provuar të gjejë golin e avantazhit, duke e arritur një objektiv të tillë në minutën e 13-të, kur një gjuajtje me kokë e Brajkoviç është devijuar nga Stafa në portën e tij. Pas avantazhit, vendasit nuk reshtin sulmet, duke kërkuar tashmë një gol të dytë për të mbyllur përfundimisht ndeshjen. Brajkoviç dhe Zhunior i afrohen disa herë rrugës së rrjetës, por Kapllani neutralizon çdo rrezik para portës së tij. Teuta zgjohet në minutat e fundit të pjesës së parë dhe rrezikon dy herë radhazi katërkëndorin e mbrojtur nga Bërdufi me anë të Vilës dhe Pashajt, por në të dyja rastet, portieri arrin të zgjidhë situatën. Megjithatë, as ai nuk mund të bëjë asgjë në minutën e 34-t kur Hysa gjendet i lirë në zonë dhe arrin të shënojë golin e barazimit 1-1, rezultat me të cilin mbyllet edhe pjesa e parë. Me kthimin në fushë të skuadrave, janë përsëri vendasit që shfaqen më rrezikshëm me anë të Begajt, Zhunior dhe Canit, pa arritur të dërgojnë topin në rrjetë. Nga ana tjetër, Pashaj provon përsëri një inkursion në zonën vlonjate, por gjuajtja e tij ndalet nga shtylla. Por në minutën e 65-të, Flamurtari rigjen avantazhin kur pas një goditjeje dënimi të Malajt, topi përfundon te Begaj, i cili e shtyn atë në rrjetë. 2-1 dhe duket gjithçka e mbaruar, aq më tepër që vendasit shpërdorojnë edhe dy raste të tjera të pastra për të shënuar me anë të Canit. Por surpriza vjen në minutën e 92-të, kur Gega gjendet i vetëm në zonë dhe përcjell topin në rrjetë, ndërsa vendasit protestojnë për pozicion jashtë loje. Me vërshëllimën përfundimtare fillon edhe kontestimi i tifozerisë vlonjate ndaj treshes së gjyqtarëve, ndërsa një grup tifozësh kanë vazhduar protestën edhe jashtë stadiumit, por pa shënuar incidente.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›