E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo shmang krizën me fitoren ndaj Shkumbinit

Skuadra e Dinamos ka arritur të harrojë përkohësisht problemet e javëve të fundit, duke arritur një fitore 1-0 ndaj Shkumbinit për të ruajtur vendin e parë në renditjen e Superiores edhe në fund të fazës së dytë. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja ka përballuar me sukses krizën e kohëve të fundit, duke rigjetur fitoren pas katër ndeshjesh "thatësirë". Pavarësisht pozitave të dy skuadrave në renditje, ndeshja nuk ka qenë aq e lehtë për dinamovitët, pasi Shkumbini kërkonte në çdo mënyrë pikë në këtë sfidë delikate. Ndaj aksionet e para kanë qenë pikërisht të peqinaseve, të cilët rrezikuan që në minutën e 6-të me anë të Stojkut, i cili gjuan fluturimthi në hyrje të zonës, por topi grushtohet saktësisht nga Kotorri që nuk lejon të preket rrjeta e portës së tij. Dinamo përpiqet të reagojë, por dyshja e sulmit Kuli-Pejiç nuk arrin të gjejë hapësira në mbrojtjen peqinase ku Xhyra shoqëron në çdo hap sulmuesin e rrezikshëm kroat. Për të zgjidhur këtë situatë të vështirë mendon Poçi, i cili përfiton nga një kombinim i shkëlqyer i Abraham dhe Ferrajt në krahun e majtë për të dërguar topin në rrjetë në minutën e 21-të. Avantazhi ndihmon Dinamon, që tashmë e ka më të thjeshtë të luajë në sulm, pa pasur shqetësimin e mungesës së golit. Pejiç dhe Kuli provojnë në të gjitha mënyrat të kalojnë Llanin, por gardiani i peqinasve tregon talentin e tij me disa devijime spektakolare që shpëtojnë portën nga gola të sigurt. Në pjesën e dytë, është Shkumbini që provon me ngulm t‘i afrohet golit të barazimit, por peqinasit e kanë shumë të vështirë t‘i afrohen zonës dinamovite, pasi Pisha kontrollon qetësisht çdo iniciativë të sulmuesve miq. Të vetmet rreziqe për portën e Kotorrit vijnë nga goditjet standarde, ku Kuçi në minutën e 74-t i afrohet shumë golit, por ndërhyrja e gardianit të Dinamos shpëton situatën. Një minutë më vonë, pas një kundërsulmi në krahun e djathtë të Ishkës, Pejiç ka mundësi të shënojë golin e dytë, por gjuajtja e tij me kokë në një pozicion të favorshëm kalon jashtë kuadratit. Në minutën e 91-të vijnë edhe drithërimat e fundit në portën e Dinamos, kur Nexha gjen në zonë Xhyrën, por gjuajtja me kokë e mbrojtësit shtatlartë të peqinasve përfundon jashtë kuadratit. Me këtë sukses, Dinamo siguron vendin e parë në renditje dhe një kalendar më të favorshëm nga ndjekësit, duke filluar që në javën e ardhshme kur do të ketë përballë Skënderbeun. Megjithatë, blutë kanë shfaqur përsëri probleme në lojën e tyre sulmuese, duke bërë të harrohen goleadat e fazës së parë.

Java 22

Rezultatet

Dinamo-Shkumbini 1-0

Poçi 21‘

Besa-Vllaznia 1-0

Mancaku 30‘

Skënderbeu-Kastrioti 2-0

Thana 31‘, 70‘

Flamurtari-Teuta 2-2

Stafa 13‘ (ag), Begaj 66‘ / Hysa 34‘, Gega 90+2‘

Elbasani-Besëlidhja 1-2

Bejzade 15‘ (11m) / Baliqi 17‘, Ngjela 86‘

Tirana-Partizani 1-4

Fortuzi 59‘ / Osmani 4‘, Devolli 23‘, Shkëmbi 48‘, Abilaliaj 70‘

Klasifikimi

Skuadra N F B H gol. Pikë

1. Dinamo 22 13 6 3 33-7 45

2. Partizani 22 11 9 2 34-15 42

3. Vllaznia 22 9 8 5 33-23 35

4. Besa 22 10 5 7 26-21 35

5. Tirana 22 9 7 6 28-23 34

6. Elbasani 22 8 9 5 19-13 33

7. Shkumbini 22 8 7 7 22-18 31

8. Flamurtari 22 6 11 5 22-22 29

9. Kastrioti 22 7 2 13 16-32 23

10. Teuta 22 5 5 12 17-29 20

11. Besëlidhja 22 5 5 12 21-39 20

12. Skënderbeu 22 3 2 17 22-51 11

Golashënuesit

14 gola Sinani (2) (Vllaznia)

13 gola Pejiç (Dinamo)

11 gola Ngjela (1) (Skënderbeu+Besëlidhja)

10 gola Duro (2) (Tirana)

9 gola Xhihani (Besa), Bejzade (4) (Elbasani), Bakaj (Partizani)

8 gola Plaku (2) (Dinamo), Muzaka (3) (Partizani)

6 gola Tiko (2) (Skënderbeu), Stojku (Shkumbini), Sukaj (Vllaznia), Fortuzi (1) (Tirana)

5 gola Elokan (Besa), Rizvanolli (Kastrioti), Qorri (4) (Shkumbini), Mema (2) (Flamurtari), Petrevski (Besëlidhja)

4 gola Hysa, Gega (Teuta), Abilaliaj (Partizani)

3 gola K. Dalipi (Shkumbini), Sefa, Arapi, Xhafaj (Tirana), Gjyla, Dhëmbi, Shkëmbi (Partizani), Roshi (1) (Besëlidhja), Veliaj (2) (Besa), Haliti (Teuta), Kalari (Kastrioti), Xhafa (Elbasani), Allmuça (Dinamo), Kaçi, Lika (Vllaznia)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›