E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani dominon "klasiken" e Shqipërisë

Derbi klasik Tirana-Partizani ka rikthyer spektaklin e shumëpritur në kampionatin shqiptar: jo vetëm në fushë, me lojë të fortë dhe pesë gola të shënuar, por edhe në shkallët e stadiumit. Me një stadium të mbushur në pjesën më të madhe të kapacitetit, prej tensionit (ku të dyja skuadrat duhet të fitonin), nuk kanë munguar as konfrontimet ndërmjet dy tifozerive. Episodi ka ndodhur në fund të 90-minutëshit, në momentin kur mbështetësit respektivë po hiqnin parullat e shumta me të cilat kishin "dekoruar" stadiumin "Qemal Stafa".

Të kuqtë kanë gjetur golin që në tentativën e parë. kur kronometri shënonte 4 minuta lojë, Elis Bakaj ekzekuton një goditje dënimi, të cilën Dhëmbi e devijon me kokë në traversë. Muzaka ka ndjekur mjaft mirë aksionin, duke e rifutur topin në zonën bardheblu, e aty Osmani përfiton nga pasiguria e mbrojtjes dhe përshëndet rrjetën. Partizani vazhdon të shfaqet i rrezikshëm me goditje standarde. Shkëmbi kroson nga pozicion i prirët, por Devolli nuk arrin vetëm për pak centimetra që të dyfishojë shifrat. Terreni i rrëshqitshëm ka bërë që në disa momente loja të bëhet e fortë dhe me ndërhyrje të ashpra nga të dyja krahët, por fusha e lagësht e "Qemal Stafës" pa dyshim që favorizon lojën e skuadrës së Hasan Likës. Të kuqtë dalin në kundërsulme të shpejta dhe gjejnë Tiranën të papërgatitur, duke krijuar idenë se goli i sigurisë ishte vetëm çështje minutash. Dhe, kështu ka ndodhur. Në minutën e 23-të, Bledar Devolli kërcen më lart nga të gjithë dhe devijon në rrjetë goditjen e këndit të ekzekutuar nga Shkëmbi. Tirana vuan dhe këtë e pasqyron në lojë, ku përveç fantazisë mungon edhe forca për t‘u kundërpërgjigjur. Reagimi i vetëm vjen nga tentativa nga distanca e Mohalebit, por Shehi ka fluturuar duke larguar rrezikun. Pjesa e dytë e lojës ka filluar si fotokopje e 45 minutave të para: me Partizanin që shënon në minutat e para. Bledi Shkëmbi merr një pasim të shkurtër nga goditje këndi dhe pasi studion vendosjen e portierit Nallbani gjuan shumë bukur me të majtën dhe shënon golin e tretë. Një rrjetë e mrekullueshme për nga ekzekutimi, e cila mbyll virtualisht ndeshjen. Sulejman Mema ndërhyn në skuadër me zëvendësime dhe orientime, lëvizje që sjellin efektin e dëshiruar. Në të 59-tën bardheblutë shkurtojnë shifrat në 3-1 me Fortuzin: "zogu" ka ndjekur gjuajtjen e fortë të Duros nga distanca dhe përfiton nga gabimi i Shehit, që nuk arrin ta kontrollojë sferën ashtu si duhet. Megjithatë, gjithçka ka qenë një iluzion, pasi në minutën e 70-të, Bakaj ka dhënë një pasim të artë të Abilaliaj dhe sulmuesi vlonjat nuk ka shpërdoruar, duke e detyruar Nallbanin që ta nxjerrë topin nga rrjeta për herë të katërt në derbin numër 130. Rezultati bën që Tirana të jetë shumë nervoze, duke mos u përqendruar te loja, por te kontrastet. Në minutën e 83-të vjen edhe kartoni i parë i kuq i ndeshjes, ku Sopjani ndëshkon Klodian Duron me kartonin e dytë të verdhë, pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Devollit. Në sekondat e fundit të takimit, mes lojtarëve kanë shpërthyer edhe polemikat në fushë, pas një ndërhyrjeje të mbrojtësit të Partizanit, Tefik Osmani, e cila mund të evitohej. Të kuqtë fitojnë në të gjitha drejtimet dhe mbajnë hapin e Dinamos kryesuese, ndërsa Tirana zbret në vendin e pestë, 11 pikë larg vendit të parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›