Besëlidhja kthen Elbasanin me këmbë në tokë
Entuziazmi dhe lodhja për kualifikimin në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë gjatë mesjavës duket se ka ndikuar negativisht tek Elbasani. Skuadra e drejtuar nga Krenar Alimehmeti është dorëzuar në takimin e javës së 22-të të kampionatit përballë Besëlidhjes. Përgjatë gjithë 90-minutëshit verdheblutë nuk kanë treguar pothuajse asgjë nga forca e tyre e vërtetë, e tashmë rrëshqasin në vendin e gjashtë në klasifikim. Njeriu i takimit ka qenë padyshim Marius Ngjela, korçari konfirmoi formën e mirë që po kalon në këtë sezon dhe me golin e realizuar vetëm 4 minuta nga mbyllja e takimit i ka dhënë lezhjanëve 3 pikë shumë të rëndësishme. Për Besëlidhjen e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla rindizen shpresat për të mbijetuar në elitën e futbollit në vend: edhe pse vazhdojnë të jenë të parafundit, ata kanë 20 pikë (ashtu sikurse edhe Teuta e vendit të 10-të) dhe janë vetëm 3 pikë larg Kastriotit që renditet një shkallë më lartë.
Takimi ka filluar me vendasit menjëherë në kërkim të golit, megjithatë planet e Alimehmetit prishen, pasi Lako dëmtohet dhe vendin e tij e zë i riu Aldo Bello. Një humbje që sjell alarm në skuadër, pasi në repartin difensiv mungonte edhe Karçev, i cili ishte i skualifikuar me kartonë. Gjithsesi, elbasanasit gjejnë shumë shpejt rrjetën e avantazhit, duke të krijuar idenë e një triumfi të thjeshtë. Në të 15-ën, Bejzade ka shndërruar në gol një 11-metërsh të fituar nga Ardian Nihiu, pas ndërhyrjes së parregullt nga kapiteni i miqve, Toma. Reagimi i Besëlidhjes ka qenë i menjëhershëm, duke sjellë baraspeshën vetëm pas 120 sekondave. Baliqi falënderon fatin dhe gjen mes këmbëve një top të larguar nga Toçi pas devijimit të Ngjelës. I ndodhur fare pranë portës, lojtari lezhjan nuk gabon dhe shënon. Fraksioni i dytë i ndeshjes flet më shumë për Elbasanin, që provon me të gjitha mënyrat të gjejë golin e avantazhit, por këmbët nuk i përgjigjen dëshirës së vendasve. Në minutat e fundit, të besuarit e Alimehmetit janë hedhur të gjithë në sulm, duke provuar me Memetajn, Bejzaden e Ahmatajn, por lënë shumë hapësira dhe pikërisht këtu miqtë përfitojnë. Në të 86-ën Ngjela i shpëton bukur mbulimit të mbrojtësve elbasanas, triblon edhe portierin Toçi dhe me gjakftohtësi e ka shoqëruar topin në rrjetë. Ky ishte goli i tij i parë me fanellën e skuadrës lezhjane, që është përshëndetur edhe nga tifozët verdheblu, të cilët kanë brohoritur "Besëlidhja".