Salihi vjen rrjeta numër 11
Hamdi Salihi është sulmuesi i vetëm i kombëtares që vazhdon të jetë në formë të jashtëzakonshme. Shkodrani ka shënuar përsëri në Bundesligën Austriake, në takimin që Ried fitoi 3-1 me Altash. Pas 52 minutave lojë, 24-vjeçari ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë, ndërkohë që më parë për skuadrën e tij kishin shënuar Akagunduz dhe Dreksel. Ky ishte goli numër 11-të i Salihit në kampionat, ndërsa Riedi rikthehet në garën për një vend në kupat e Evropës. Sulmuesi konfirmohet si një nga lojtarët më të rrezikshëm përpara portës në elitën e futbollit austriak dhe paraqitjet e mira vazhdojnë që të tërheqin vëmendjen e shumë klubeve në këtë vend, por edhe në kampionate në kontinent.
Të shtunën ka shënuar edhe Albert Bunjaku, i cili mbron ngjyrat e Erfurtit në Ligën Rajonale të Veriut në Gjermani. Ashtu sikurse edhe një javë më parë, sulmuesi shqiptar ka shënuar dy herë në portën kundërshtare, fillimisht në minutën e 12-të, e më pas me 11-metërsh në të 59-tën. Gjithsesi, rrjetat e Bunjakut nuk i kanë shërbyer shumë skuadrës së tij, që është mposhtur 3-2 në fushën e Eintraht Braunshvajg. Duke qëndruar në kampionatin gjerman, e shtuna ka qenë një ditë mjaft e mirë për skuadrat ku aktivizohen futbollistët shqiptarë. Fitojnë Hanoveri i Altin Lalës dhe Karlsruhe e Edmond Kapllanit, me të dy kuqezinjtë që janë aktivizuar si zëvendësues. Në fushën e lojës nuk ka zbritur Ervin Skela, pasi takimi Energie Kotbus-Shtutgart është pezulluar për shkak të kohës së keqe. Era me shpejtësi 130 km/h e ka bërë të pamundur zhvillimin e një ndeshjeje futbolli dhe tashmë, Federata Gjermane do të përcaktojë një datë tjetër për këtë sfidë.
Aspak e mirë fundjava e shqiptarëve në Ukrainë. Në ndeshjen e parë të fazës së dytë të kampionatit, Vorskla Poltava humbi me rezultatin e thellë 3-0 në fushën e Metalist Kharkiv. Protagonist në këtë humbje është bërë padyshim mbrojtësi Armend Dallku, i cili ka luajtur vetëm 18 minuta. Lojtari i kombëtares është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 12-të ndeshjes, e vetëm pesë minuta më vonë ai mori edhe kartonin e dytë, duke u larguar. Debatik Curri luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa Ahmed Jonuzi është aktivizuar si zëvendësues, në minutën e 63-të. Vetëm qëndrim në stolin e rezervave për mbrojtësin Robert Grizha, i cili është transferuar te Vorskla në Vyscha Liga gjatë merkatos së janarit.