E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançini, sherr me tifozët

Minuta e 30: Materaci merr kartonin e dytë të kuq dhe lë Interin në inferioritet numerik përballë Liverpulit. Episodi që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes, "Reds" triumfojnë 2-0 me gola të Kujt (85‘) dhe Xherard (90‘). "Why?" ka qenë reagimi i mbrojtësit zikaltër në fytyrën e gjyqtarit De Bleker, "why?" duhej të bërtiste me të madhe për t‘iu dëgjuar zëri mbi këngën e tifozëve britanikë, "why?" për kartonin e dytë të verdhë të marrë pas një ndërhyrje të parregullt ndaj Torres, duke regjistruar kartonin e parë të kuq në Ligën e Kampioneve. Pyetje që kanë shoqëruar daljen e tij nga fusha e "Anfilld Roud", që si zakonisht ishin të destinuara të mbeteshin pa përgjigje. Dalja e Materacit ka shkaktuar jo pak reagime brenda skuadrës. Trajneri Roberto Mançini e ka "shigjetuar" duke thënë: "Marko duhej të ishe më i kujdesshëm, e kishe një karton të verdhë". Më tej drejtuesi i stolit zikaltër ka analizuar atë që ndodhi: "Duhej të ishim treguar të qetë, ata na mbajtën nën presion që prej fillimit të lojës. Takimi është vendosur nga ai karton i kuq, me një lojtar më pak nuk mund të bënim asgjë më shumë. Arritëm t‘i përballonim për shumë minuta, por në fund Liverpuli na ndëshkoi". Megjithatë, deklarata më e fortë ka ardhur nga Ibrahimoviç, që pa kurrfarë emocioni iu përgjigj gazetarëve: "Çfarë ndodhi gjatë ndeshjes? Për këtë më mirë pyesni Materacin". Një frazë e thënë në gjaknxehtësi e sipër, por që ka nevojë të shoqërohet nga një bisedë "private" mes lojtarëve. Fjalë therëse, të thëna në mënyrë të pamëshirshme. Ibrahimoviç kundër Materacit, mund të jetë pothuajse si një duel superheronjsh: por ku rrezikojnë të humbasin që të dy.

Situata nuk ka qenë e qetë as gjatë largimit nga Liverpuli. Në orët e vona të natës, kur skuadra ndodhej në aeroport dhe po përgatitej të kthehej në Milano, pak çaste përpara hipjes në avion ka shpërthyer një sherr i dhunshëm. Tifozët e Interit ishin dukshëm të pakënaqur nga paraqitja e skuadrës dhe kanë hedhur parulla dhe kënduar kore të rënda: "Shkoni të punoni". Një tjetër grup tifozësh ka kontestuar Mançinin, që i është përgjigjur ashpër: "Mendoni të bëni tifozllik". E nëse nuk do të kishte qenë për zv/trajnerin Mihajloviç, palët mund të kishin përdorur edhe duart. Megjithatë, Mançini shpreson të përsërisë mrekullinë e vitit 1965: "Ndonjëherë disa gjëra mund të ndodhin sërish, përfundoi trajneri. Duhet të shënojmë tre gola, por kësaj radhe shpresojmë ta mbyllim ndeshjen me 11 lojtarë".

Në situatën e krijuar nuk kanë munguar as fjalët e Patrik Vieirasë, që pasi është aktivizuar si zëvendësues ka komentuar me tone negative paraqitjen e skuadrës: "Është e vështirë të thuash se çfarë nuk shkoi. Kthehemi në shtëpi me dy gola të pësuar dhe ndjenjën se kemi luajtur shumë keq. Zhvilluam një ndeshje me nivel shumë të ulët, humbëm dhe do ta kemi shumë të vështirë". Fjalët e vetme pozitive kanë ardhur nga presidenti Masimo Morati, që nuk është demoralizuar: "Kemi disa pakënaqësi për gjyqtarin, megjithatë Interi mbetet një skuadër shumë e fortë. Kur mbetëm me 10 lojtarë, skuadra ishte heroike dhe reagoi pothuajse deri në fund. Shpresoj te mrekullia në ‘San Siro‘".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›