E Diel, 1 Nëntor 2026

Besnik Hasi: Jam penduar që e lashë futbollin

 

Ish-lojtarit të Kombëtares shqiptare, Besnik Hasi, i mungon shumë futbolli. Në fakt, ai ka marrë postin e zëvendëstrajnerit në klubin e tij të zemrës, Anderlehti, megjithatë kjo nuk ia përmbush dëshirën e madhe që ka për këtë sport. Ai dëshiron të luajë ende. Gjakovari i ka propozuar klubit belg që ta lejojë të aktivizohet njëkohësisht edhe në një klub të kategorisë së pestë të Belgjikës (ekip amator), por drejtuesit e kanë refuzuar kërkesën e tij. Hasi 36-vjeçar pohon se kërkesa e tij është refuzuar me arsyetimin se kjo nuk do të ishte e pëlqyeshme nga sponsorët e Anderlehtit. “Më mungon shumë futbolli aktiv, edhe pse çdo ditë jam i lidhur me këtë sport, por si trajner. Disa ditë më parë i bëra një kërkesë klubit nëse mund të luaja për një skuadër amatore të ligës së pestë, por kërkesa ime është refuzuar menjëherë, - ka thënë Hasi për të përditshmen kosovare ‘Koha Ditore’. - Nuk besoj se do të kisha problem me orarin, sepse do përpiqesha të organizoja gjithçka. Dhe nëse do të kisha impenjime me Anderlehtin, atëherë nuk do të shkoja të luaja me skuadrën amatore. Tani luaj shumë pak futboll, atëherë kur kam kohë të lirë, të cilën e kam mjaft të limituar”. Hasi është emëruar në fillim të këtij edicioni ndihmës i Ariel Jakobsit në stol. Ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin, ku si lojtar i fitoi të gjitha në Belgjikë. Ish-mesfushori kuqezi është përshtatur më së miri me punën e re.
Kombëtarja
Përveç suksesit të Anderlehtit në këtë fillim sezoni, Hasin e gëzon edhe paraqitja e Kombëtares shqiptare në dy ndeshjet e para. Kuqezinjtë e kanë nisur mbarë edicionin e kualifikueseve për Botërorin “Afrika e Jugut 2010”, duke mbledhur katër pikë në dy ndeshje. Shqipëria mposhti Maltën 3-0 dhe barazoi me Suedinë 0-0. Pas dy ndeshjeve, Shqipëria është e para në Grupin 1. Sipas Hasit, trajneri holandez i Shqipërisë, Ari Han, po bën një punë të mirë: “I kam parë ndeshjet dhe mund të them se është bërë si traditë që Shqipëria, kur ka përballë përfaqësuese të nivelit të lartë, luan në mënyrë perfekte; ndërsa me ekipet e vogla nuk e bën dot një gjë të tillë. Me Suedinë ishin fantastikë, kurse me Maltën vetëm pikët ishin me rëndësi, pasi loja nuk ishte aspak cilësore. Jam shumë i kënaqur me katër pikë, por nuk duhet lënë mënjanë as punën e trajnerit Han”. Ish-lojtari i përfaqësueses sonë thotë se Shqipëria nuk ka nevojë të synojë pikët me Portugalinë në Bragë, pasi suksesin duhet ta kërkojë me skuadrat e tjera të grupit. Sipas tij, ekipi nuk duhet të harxhojë energji kot kundër skuadrave të mëdha. “Shpresoj në rezultat pozitiv me Hungarinë, ndërsa me Portugalinë do të jetë shumë e vështirë, sepse ata i kanë humbur pikët në shtëpi me Danimarkën dhe nuk guxojnë të pësojnë më disfata, - argumenton Hasi. - Nuk duhet t’i kërkojmë Shqipërisë patjetër pikë në ndeshjen me Portugalinë, por të fitojë në shtëpi dhe të marrë pikë nga përfaqësueset e vogla. Mendoj se Hungaria nuk është në formë dhe për këtë kam informata nga një futbollist imi te Anderlehti”, thekson gjakovari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›