Skela, dy gola në Kupën e Gjermanisë
Ervin Skela i ka bërë një surprizë aspak të këndshme skuadrës së Borusia Mënshengladbahut, teksa i ka shënuar dy gola në ndeshjen e djeshme, e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Gjermanisë. Më në fund vijnë edhe dy golat e parë zyrtarë të Ervin Skelës për sezonin e ri. Edhe pse ato nuk janë në Bundesligë, por në Kupën e Gjermanisë, një kompeticion që vlerësohet shumë në atje. Media gjermane bëri të ditur një ditë para kësaj sfide se, mesfushori shqiptar do të mungonte për shkak të tërheqjes në kofshë që kishte pësuar në takimin e kampionatit fundjavën që shkoi, mirëpo fantazisti vlonjat jo vetëm që ka luajtur gjatë gjithë minutave, por ka shënuar edhe dy gola në ndeshjen që Kotbusi i tij fitoi me rezultatin e pastër 3-0. Mesfushori ynë i ka shënuar të dy golat me penallti në minutën e 73-të dhe në të 89-ën. Interesant është fakti që të tre golat e Kotbusit janë shënuar me penallti, pasi edhe autori i golit të parë, Rangelov, ka shënuar në minutën e 42-të po nga pika e bardhë e 11-metërshit. Këta ishin dy golat e parë të këtij sezoni për Ervin Skelën, i cili sezonin e kaluar realizoi 7 të tillë në kampionat, duke bërë të mundur që Kotbusi të mbetej në Bundesligën 1. Në javët e para të këtij sezoni, ai shpesh është kritikuar për paraqitje jo të mira, por me dy golat e djeshëm tregoi se mbetet një nga shtyllat e skuadrës së Kotbusit. Ndërkaq, Erzgebirge Aue e Skerdi Currit humbi 1-2 me Verder Bremenin.