E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 220 USD mbi pagën për të shkolluarit jashtë vendit

Qeveria shpërblen të kualifikuarit e administratës. Për të specializuarit jashtë shtetit dhe për "profesorët" e administratës, shpërblimi do të jetë nga 10 mijë lekë deri në 30 mijë lekë të reja. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje bonuse në rrogat e nëpunësve të administratës publike, të cilët janë diplomuar jashtë Shqipërisë, por edhe për ata që gëzojnë tituj shkencorë. Ata nëpunës që gëzojnë titullin profesor do të marrin në muaj një shtesë rroge prej 30 mijë lekësh. Përfituesit e kësaj kategorie nisin nga pozicioni i zv/ministrave dhe sipas draftit të departamentit të administratës publike nuk preken nga ky vendim as Kryeministri dhe as ministrat e kabinetit të tij.

Niveli më i lartë që preket nga ky vendim janë zv/ministrat e kabinetit dhe niveli më i ulët janë specialistët e administratës publike. Titullin doktor i shkencave e gëzojnë ndihmesat e zv/kryeministrit, drejtorët e kabinetit të ministrave, këshilltarët e ministrit, drejtorët e departamentit, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e thjeshtë të administratës publike. Të gjithë ata që kanë titullin doktor shkencash do të marrin një shtesë mbi pagën prej 20 mijë deri në 25 mijë lekë.

Nga këto shpërblime mbi pagën mujore përfitojnë zv/ministra me tituj shkencorë, nëpunësit e kabineteve në Kryeministri, aparatet e ministrive të linjës dhe administratën e Presidentit, Kuvendit dhe KQZ-së. Për të gjithë ata që kanë kryer studime të thelluara pasuniversitare ose master të nivelit të dytë, paga e shpërblimit do të jetë 10-20 mijë lekë të reja. Për ata persona që kanë përfunduar një master brenda Shqipërisë, tarifa do të jetë 10 mijë lekë, ndërsa për ata që kanë përfunduar masterin jashtë Shqipërisë, tarifa do të jetë 20 mijë lekë. Nga kjo kategori përfitojnë përgjegjësit e sektorëve, kryeinspektorët, koordinatorët, juristët, inspektorët dhe specialistët. Të gjithë nëpunësit e institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave me titullin profesor të asociuar do të përfitojnë 25 mijë lekë të reja mbi pagën mujore. Do të shpërblehen me 220 dollarë në muaj të gjithë ata nëpunës të administratës, të cilët kanë përfunduar studimet pasuniversitare jashtë Shqipërisë. Këshilli i Ministrave, dje ka përcaktuar bonuset e paralajmëruara nga qeveria "Berisha" për gradat e titujt shkencorë, si një risi për ta bërë administratën më tërheqëse për forcat e kualifikuara. Në këtë mënyrë, krijohet një lloj ekuivalence në trajtimet që bëhen në universitete për titujt dhe gradat shkencore. "Ministria e Financave ka vepruar shumë drejt. Çdo ditë marrim letra dhe mesazhe nga studentë që kanë mbaruar shkëlqyer dhe janë graduar në universitetet ndërkombëtare. Ndaj, ne duhet të kemi një plan të veçantë për ta dhe duhet të inkurajojmë përfshirjen e tyre në administratë, mbi bazën e cilësive të tyre", tha Kryeministri Berisha. Drafti i departamentit të administratës publike ishte hartuar që prej vitit të kaluar dhe ishte paralajmëruar edhe nga Kryeministri Berisha, ndërkohë që vetëm dje ka marrë vulën përfundimtare të Këshillit të Ministrave pas relacionit të përgatitur edhe nga Ministria e Financave.

Qeveria vendos meny të re për rekrutët

Rritet norma e ushqimit për ushtarët

Ushtarët e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe studentët e Universitetit Ushtarak "Skënderbej" do të trajtohen me racionin bazë të ushqimit, і cili përmban 4300 kalori. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë, për të përmirësuar kushtet e ushqimit të ushtarëve shqiptarë, ku tashmë do të kenë një meny të pasur, por edhe me shumë fruta. Njësitë e Forcave të Armatosura, gjatë angazhimeve në operacione e stërvitje të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, përveç racionit bazë të ushqimit do të trajtohen me racion shtesë, me 500 kalori. Ministri і Mbrojtjes është ai që përcakton dhe miraton repartet e Forcave të Armatosura, që do të trajtohen me shtesë racioni ushqimor, me 500 kalori për ditë, strukturën e racionit bazë të ushqimit ditor (proteina, yndyra, karbohidrate), në përputhje me kaloritë dhe vlerën financiare, normën e zëvendësimit të artikujve ushqimorë, në përputhje me kaloritë dhe strukturën ushqimore dhe trajtimin me ushqim të gatuar, pa pagesë, për oficerët, nënoficerët dhe ushtarët profesionistë, në rast të qëndrimit në repart mbi 8 orë, për arsye gatishmërie, shërbimi 24-orësh, apo trajnime dhe stërvitje në terren, në lloje të ndryshme operacionesh brenda dhe jashtë vendit. Në këto raste, ushtarakët nuk përfitojnë kompensim të ushqimit në vlerë leku. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi і këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor і miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Vendimi nr. 140, datë 11.6.1975, і Këshillit të Ministrave, "Mbi normat e ushqimit të kuadrove ushtarake, efektive dhe rezerviste gjatë stërvitjes luftarake", shfuqizohet.

Pagat e reja për ushtarakët shqiptarë që shërbejnë jashtë vendit

Ushtarakët shqiptarë, për kohën që shërbejnë në përfaqësinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në shtabet e NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, trajtohen me pagë për gradë dhe shtesë për përfaqësim, për gjeneral lejtnant, rreth 1100 euro dhe 75% shtesë përfaqësimi. Për gjeneral major, 1018 euro dhe 60-70% shtesë përfaqësimi, për gjeneral brigade, 1000 euro dhe 60-75% shtesë përfaqësimi. Kolonelët do të paguhen me 900 euro, nënkolonelët me 850 euro, majorët me 800 euro, kapitenët me 750 euro, togerët me 700 euro, nëntogerët me 650 euro, rreshterët me 500 euro dhe tetarët e nëntetarët me 350-400 euro. Paga e atasheut ushtarak nuk mund të jetë më e lartë se ajo e ministrit këshilltar në përfaqësitë diplomatike. Në rastet kur ministri і Mbrojtjes, në marrëveshje me ministrin e Punëve të Jashtme, për shkak të ngarkesës së punës, emëron edhe një ndihmës të atasheut ushtarak, ky trajtohet jo më shumë se grada diplomatike e këshilltarit të përfaqësisë diplomatike. Ushtaraku përfiton edhe kompensim për koston e jetesës. Të ndarë në kategori të caktuar, ky kompensim është 300 euro/USD, për vendet e grupit të parë; 260 euro/USD, për vendet e grupit të dytë; 230 euro/USD, për vendet e grupit të tretë; 200 euro/USD, për vendet e grupit të katërt; 150 euro/USD, për vendet e grupit të pestë. Paga shtrin efektet nga data e mbërritjes së ushtarakut në vendin e punës. Deri në këtë moment vazhdon të paguhet me pagën ekzistuese. Sipas draftit të qeverisë, ushtaraku, kur shkon për herë të parë në vendin e punës, merr si paradhënie në valutë pagesën e 15 ditëve, të cilën e shlyen brenda 6-muajve nga data e fillimit të detyrës. Nëse transferohet në atdhe para mbarimit të këtij afati, kundërvlerën e paradhënies së mbetur e shlyen në lekë, sipas kursit të këmbimit valutor, brenda 6 muajve pas kthimit në atdhe. Paga mujore і nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi. Në bazë të saj do të paguhen edhe detyrimet për sigurimet, shoqërore e shëndetësore. Pagesat për ushtarakët, që shërbejnë në vendet e Evropës, bëhen në euro, ndërsa për vendet e tjera në USD. Ministria e Mbrojtjes të përballojë, brenda fondeve buxhetore vjetore, shpenzimet për pagat e atasheve ushtarakë, të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që shërbejnë në përfaqësinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në shtabet e NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim і shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2008, ndërsa për periudhën nga 1 korriku 2007 deri më 31 dhjetor 2007 zbatohen pagat aktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›