E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dialogu me Shqipërinë" tkurr financat e Partisë Socialiste

Politika e re i ka shkaktuar kosto financiare Partisë Socialiste. Buxheti i brendshëm duket se ka pësuar tronditje që prej fillimit të turit "Dialog me Shqipërinë". Për të afruar drejtuesit e partisë me bazën dhe zgjedhësit, kreu i socialistëve, Edi Rama, prej më shumë se një viti, po lëviz në rrethe e fshatra të ndryshme. Përtej misionit të lartpërmendur, selia rozë duket se do të shkojë drejt proceseve të ardhshme zgjedhore me xhepat e shpuar nga të bërit opozitë. Pas ndryshimit të lidershipit të partisë, kupola drejtuese është shndërruar në një makineri lëvizëse. Si çdo gjë tjetër, edhe turi "Dialog me Shqipërinë" ka koston respektive. Udhëtimet e Ramës dhe grupit që e shoqëron në lokalitete në Veri dhe Jug të vendit përkthehen në faturë financiare. Duke i bashkangjitur kësaj edhe aktivitetet e tryezat që realizohen në kryeqytet, të ardhurat e partisë konsiderohen të pamjaftueshme. Të marrësh me qira ambiente të hoteleve kryesore të Tiranës apo sallën e Pallatit të Kongreseve kërkon të shpenzosh një shumë të konsiderueshme të hollash. Sakaq, burimet e vetme që socialistët përfitojnë në arkën e tyre janë kuotizacionet e anëtarësisë. Për hir të së vërtetës, niveli i mbledhjes së tyre është në norma të ulëta dhe llogaritet afro 50%. Për të mos folur për raste kur deputetë dhe anëtarë të strukturave qendrore nuk paguajnë rregullisht detyrimet. Një tjetër element që ka gjunjëzuar financat e selisë rozë ka të bëjë me rikonstruksionet e pjesshme që janë kryer në këtë seli që pas rinovimit të lidershipit. E ndërsa turi "Dialog me Shqipërinë" pritet të vijojë të paktën deri në muajin maj të këtij viti, angazhime të tjera publike do të rrisin kostot financiare. Ende nuk dihet sa kohë do të duhet që arka e PS-së të marrë frymë, duke u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Njësoj si Partia Demokratike në pushtet, edhe Partia Socialiste nuk paraqet asnjë buletin transparence për shpenzimet vjetore dhe burimin e të ardhurave. Rama rezulton të ketë kryer 60 udhëtime nga Tirana në rrethe, në kuadër të turit "Dialog me Shqipërinë", deri në fund të vitit 2007. Ndërsa numri i fshatrave ku ai ka shkelur shkon tre-katër herë më shumë se ai i udhëtimeve me nisje nga kryeqyteti. Në total, lideri i opozitës në vitin 2007 ka realizuar tetë vizita zyrtare jashtë Shqipërisë. Muaji janar i vitit të shkuar rezulton të ketë qenë shumë i ngjeshur në axhendën personale të Ramës. Në këtë periudhë, ai ka realizuar 14 vizita në rrethet Berat, Elbasan, Kukës, Dibër, Pogradec, Korçë, Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Shkodër dhe Lezhë. Në të njëjtin ritëm, duket të ketë qenë muaji shkurt për Ramën, i cili ka udhëtuar drejt Patosit, Urës-Vajgurore, Vorës, Poliçanit, Laçit, Elbasanit, Lushnjës, sërish në Elbasan, Lezhë dhe Mamurras. Në muajin mars nuk është realizuar asnjë udhëtim zyrtare në qytetet e Shqipërisë. E varfër duket axhenda politike edhe në muajt prill, qershor e korrik, kur janë zhvilluar përkatësisht vetëm nga një takim. Pas krizës së Presidentit, takimet elektorale janë shtuar në muajin nëntor e dhjetor dhe kanë arritur sërish në shifra të larta dhe rekord. Qyteti ku kreu i socialistëve rezulton të ketë vizituar më shpesh gjatë këtij viti është Fieri me rreth 7 herë. Pas tij, vijnë udhëtimet drejt qytetit të Shkodrës, Lushnjës dhe Elbasanit. Në qytetin bregdetar të Durrësit, Rama ka qenë 2 herë dhe në Korçë rreth tre katër herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›