Grupi i kontrollit, të hënën në dyert e Federatës së Futbollit
Grupi i kontrollit financiar do të paraqitet të hënën në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit për të kryer auditin e paralajmëruar nga Ministria e Sporteve dhe ajo e Financave. Kjo është pohuar nga drejtori i Përgjithshëm i Auditit, Pajtim Shehu. Një lëvizje që "sfidon" hapur FIFA-n dhe UEFA-n, që në faksin e pak ditëve më parë të dërguar në MTKRS, por edhe nëpërmjet deklaratave, ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të çdo lloj kontrolli. "Auditimi në Federatën Shqiptare të Futbollit do të vazhdojë, edhe pse FIFA dhe UEFA kanë dërguar letrën në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve", deklaroi Shehu. "Si Ministria e Financave, ashtu edhe ajo e Sporteve, nuk do të tërhiqen prej saj. Për sa i përket ditës së auditit, sipas ligjit, afati është dhjetë ditë pas dërgimit të dosjes, pra më 26 janar".
Drejtori i Përgjithshëm i Auditit ka theksuar se në "sitë" do të kalojnë të gjitha fondet, qofshin ato shtetërore apo ndërkombëtare. Kjo është një tjetër pikë përplasjeje, pas si FIFA, ashtu edhe UEFA, i kanë kërkuar shtetit shqiptar (por edhe shteteve të tjera) që të mos kryejnë asnjë lloj kontrolli mbi fondet që ato u japin federatave anëtare. Megjithatë, Shehu ka shpjeguar se sipas ligjit 97/20, neni 2, i cili është miratuar në tetor të vitit 2007, grupi i kontrollit ka të drejtë të auditojë të gjitha fondet e institucioneve të sektorit shtetëror, ku bën pjesë edhe FSHF-ja. "Auditimi do të bëhet në të gjitha institucionet e sektorit publik (edhe FSHF bën pjesë në këtë sektor) dhe aty do të kontrollohen të gjitha fondet, si ato të shtetit, ashtu dhe ato të organizatave të huaja", vazhdoi drejtori i Auditit, Pajtim Shehu. Kontrolli i veprimtarisë financiare të institucionit që drejton futbollin në vend do të marrë për bazë edhe kontrollin e bërë në FSHF nga kompania angleze "Deloitte & Touche". Më tej ai ka theksuar se ligji i procedurave tatimore i hap rrugë Drejtorisë së Auditit të Brendshëm të marrë pjesë në këtë kontroll: "Drejtoria e Auditit është një institucion stabilizues. Ministria e Sporteve na ka kërkuar bashkëpunimin në këtë audit dhe në bazë të pikës G të manualit të detyrave të Drejtorisë së Auditit, ne do të bëjmë pjesë në këtë grup kontrolli". Nga ana tjetër, Shehu ka bërë të ditur se përgjigjja për pikën e parë të kërkuar nga UEFA dhe FIFA në faksin e përpara pak ditëve (ku kërkohej ndalimi i menjëhershëm i kontrollit të brendshëm në federatë), do të jepet nga institucioni që ai drejton.