E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci, KESH ka eksportuar në kulmin e krizës

Tashmë nuk ka asnjë dyshim. Kur vendi përjetonte orë të tëra mungese të energjisë elektrike, KESH kryente eksport të këtij malli drejt vendeve fqinje, në mënyrë të pashpjegueshme. Faktin e konfirmon vetë Instituti i Statistikave-INSTAT, sipas të cilës, në periudhën korrik-dhjetor 2007, është kryer eksport energjie elektrike në sasi prej rreth 80 GWh. INSTAT në raportin e fundit të "Bilanci i Energjisë 2007" sqaron se brenda kësaj shifre përfshihen edhe shkëmbimet që mund të jenë kryer. Pikërisht, në këtë pikë mbështetet Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, sipas të cilës ka të drejtë të kryejë shkëmbim të energjisë elektrike për aq kohë sa ia lejon ligji, sidomos në rastet kur ka prurje të mëdha në hidrocentralet e vendit, për të mos krijuar katastrofa të përmbytjeve. Megjithatë, sasia që KESH ka dërguar jashtë vendit përkon me periudhën më të errët të vendit, ku mungesa e energjisë elektrike arrinte deri në 12 orë dhe shkak për këtë, sipas korporatës ishte niveli i ulët i prodhimit, ndikuar nga reshjet e pakta. Duke iu referuar gjithnjë raportit të statistikave zyrtare, grafikët tregojnë se niveli rekord i eksportit të kryer ndonjëherë nga viti 2005, i përket tremujorit të dytë të vitit 2006, me sasi që shkojnë deri në 290 GWh. Për rastësi edhe në këtë periudhë vendi është shoqëruar me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.

Prodhimi

Në përgjithësi burimet e energjisë elektrike në vitin 2007 patën një ulje prej 13.4%, krahasuar me vitin 2006. Ndërsa në total, sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 5,881 GWh. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul ndjeshëm me 46.9%, krahasuar me vitin 2006. Sipas INSTAT, rënia e konsiderueshme në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 47.7% ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e prodhimit total të energjisë. Pushimi nga puna e TEC-it të Fierit ka ndikuar në rënien në total të energjisë elektrike të prodhuar nga termocentralet me 21.9%, e bashkë me to edhe HEC-et me koncesion, duke regjistruar rënie me 13.7%.

Konsumi

Përdorimi nga konsumatorët është rritur me 1.9% krahasuar me vitin 2006. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes ka rënë me 2.2%. Ky sektor ka konsumuar 57.1% të sasisë së energjisë, kurse sasia e energjisë elektrike të konsumuar nga përdoruesit e tjerë është rritur me 7.9% krahasuar me vitin 2006.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›