E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në burg dy ish-drejtorët e ARMO-s

Ditën e djeshme është shpallur vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier ndaj dy të pandehurve Gëzim Osmanaj dhe Bashkim Avdullaj, që të dy ish-funksionarë të kompanisë ARMO sh.a. Kryetar i trupit gjykues ka qenë gjyqtari Alfred Ikonomi, ndërkohë që pretenca u mbajt nga prokurori Çlirim Sina. Osmanaj dhe Avdullaj janë akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Akuza është hartuar nga organi i Prokurorisë së rrethit Fier, pas shkeljeve të mëdha që janë konstatuar nga Auditi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Shkeljet e dy ish-drejtorëve të kompanisë ARMO sh.a. dyshohen të jenë kryer gjatë periudhës kohore, fillimviti 2006 deri në fund të vitit 2006. Gjithçka është zbuluar nga kontrolli që ka kryer auditi i ministrisë së sipërcituar mbi kompaninë ARMO në fund të vitit 2006. Prokurorisë së Fierit i është dashur më shumë se një vit hetim për të dërguar drejt gjykatës disa javë më parë dosjen e dy ish-drejtorëve të kompanisë ARMO, Gëzim Osmanaj dhe Bashkim Avdullaj. Në shtatë tendera, drejtori Gëzim Osmanaj dyshohet se ka kryer shkelje administrative dhe financiare. Tenderët kanë qenë për pajisje teknike për Uzinën e Naftës në Fier, TEC-in e Ballshit. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Alfred Konomi, pasi ka dëgjuar kërkesën e prokurorit të çështjes, Çlirim Sinaj, ka vendosur që dy ish-funksionarët e kompanisë ARMO, Gëzim Osmanaj dhe Bashkim Avdullaj, të mbeten në burg pa afat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›