E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, 30 ditë burg për elektricistët e KESH-it

Kanë mbetur në burg dy elektricistët e arrestuar dy ditë më parë, ndërkohë që për konsumatorin e prangosur gjykata ka vendosur një masë më të lehtë, atë të arrestit të shtëpisë. Në orën 11:00 të ditës së enjte, pranë Gjykatës së Fierit janë sjellë Zani Hajro, 51 vjeç, dhe Agim Ndreko, 52 vjeç, me detyrë elektricistë në filialin e KESH-it në Fier, si dhe 55-vjeçari Pajtim Malaj, ndërkohë që Alfred Golloshi i cili ndiqej penalisht në gjendje të lirë është paraqitur vetë. Sheshi përballë gjykatës është mbushur jo vetëm me familjarë të të prangosurve, por edhe me një komunitet të gjerë elektricistësh e punonjës të filialit të KESH-it Fier, të cilët janë shprehur në kundërshtim me akuzën e ngritur nga policia dhe prokuroria. Gjyqtari i çështjes, Pirro Sota, ka vendosur që ta zhvillojë seancën e parë, e pikërisht atë të vlerësimit të masës së sigurisë ndaj dy elektricistëve, si dhe dy konsumatorëve, me dyer të mbyllura. Pasi ka dëgjuar të dy palët, gjyqtari ka vendosur që të lërë në burg për 30 ditë dy elektricistët Zani Hajron dhe Agim Ndrekon, si dhe me arrest shtëpie konsumatorët Pajtim Malajn dhe Alfred Golloshin. Sipas policisë dhe prokurorisë, dy punonjësit e korporatës energjetike, filiali Fier, në bashkëpunim me konsumatorët, falsifikonin sasinë e energjisë së konsumuar në matës, duke konsumuar kështu veprën penale të "vjedhjes në bashkëpunim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›