E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, shmanget një vrasje në qendër të qytetit

Një zënkë mes dy personave ka shërbyer si sinjal për Policinë e Elbasanit, se një gjë e tillë do të shërbente për ndonjë hakmarrje të mundshme mes tyre, prandaj ndërhyrja në kohë e uniformave blu ka bërë të mundur shmangien e një vrasjeje të sigurt. Kështu, agjentët e Policisë së Elbasanit kanë arritur të parandalojnë në qendër të këtij qyteti një vrasje, e cila ishte planifikuar të kryhej në afërsi të Muzeut Etnografik, por që fatmirësisht ndërhyrja u bë në kohën e duhur. Menjëherë sapo shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit ishin sinjalizuar se Flamur Berhami po përgatitej të kryente vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, ka organizuar punën për parandalimin e këtij krimi. Ndërhyrja profesionale është realizuar nga forcat e Komisariatit të Elbasanit në bashkëpunim me sektorin operacional pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut, duke bërë të mundur parandalimin e një ekzekutimi. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë kanë bërë të ditur nëpërmjet një komunikate për shtyp se në orën 13:30 minuta, në vendin e quajtur "Sheshi i taksive" në lagjen "Luigj Gurakuqi", forcat e policisë arritën të arrestojnë në flagrancë Flamur Berhamin, në momentin që ky i fundit po nxirrte nga një çantë armën për të qëlluar në drejtim të Sokol Sanxhaktarit, 25 vjeç, i cili në këtë moment ishte nën shoqërinë e Gentian Darezezës. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar armën me të cilën do të kryhej krimi, një automatik model 56, si dhe një krehër automatiku me 30 copë fishekë të kalibrit 7.62. Gjithashtu, policia ka bllokuar edhe mjetin me targa El 35 15 B, si dhe ka shoqëruar një shtetas tjetër për të dëshmuar lidhur me këtë ngjarje. Fillimisht policia përmendi si objekt të atentatit edhe emrin e një personi tjetër, si një prej dy personave të rrezikuar nga atentati i planifikuar nga 39- vjeçari Flamur Berhami. Policia, nëpërmjet zëdhënësit të saj për shtyp, bëri të ditur se Flamur Berhami dhe Sokol Sanxhaktari ishin konfliktuar midis tyre për motive të dobëta dhe kjo e ka nxitur 39-vjeçarin të përgatitej për vrasjen e Sanxhaktarit. Kjo vrasje, e evituar nga Policia e Elbasanit, është e katërta gjatë këtij viti. Një krim i tillë u evitua në unazën jugore të qytetit, në lokalin "C‘era una volta" në fillim të këtij viti, një tjetër në afërsi të bustit të Kristoforidhit midis vëllezërve Dedja dhe kunatit të tyre, ndërsa pak ditë më parë në qendër të qytetit të Peqinit midis tre të rinjve dhe nipit të ish-deputetit socialist, Shpëtim Kateshit, dhe së fundi kjo në afërsi të Muzeut Etnografik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›