E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta prek rekordin, arrin 104 USD/fuçia

Çmimi i naftës ka prekur nivelin rekord të regjistruar ndonjëherë, 104,64 USD/fuçia. Rritja e çmimit është ndikuar më së shumti nga vendimi i OPEC (Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës) për të lënë të pandryshuar nivelin e prodhimit. Ky vendim u mor pas mbledhjes së zhvilluar tri ditë më parë në Vjenë të Austrisë, ku organizata siguroi se tregu tashmë ndodhet i stabilizuar dhe se nuk shihen arsye për të rritur prodhimin. Por kërkesa gjithnjë e në rritje për furnizim me karburant, përfshi tensionet gjeopolitike mes SHBA-së dhe Iranit, Turqisë me rajonet kurdë, si dhe vendimi i OPEC, kanë bërë të mundur shtrenjtimin e "arit të zi" në nivele rekord. Vetë organizata ia lë përgjegjësinë ekonomisë amerikane, tashmë në rënie, duke ndikuar në çmimin aktual të naftës. Para dy javësh, nafta preku për herë të parë nivelin e 100 USD/fuçia, me disa rritje të lehta përtej kësaj shifre, por më pas çmimi pësoi rënie graduale në 97-98 USD, duke krijuar përshtypjen e një stabilizimi të tregut. Ndërkaq, nëse situata vazhdon me këto ritme, niveli rekord i arritur në tregjet ndërkombëtare pritet të ndikojë edhe në tregun vendas të pakicës. Aktualisht, çmimi i naftës në tregun vendas është mesatarisht 135 lekë/litri, nga 125 lekë që ishte në muajt shtator-tetor 2007, ndërsa benzina ofrohet për 145 lekë/litri, madje në disa pika ajo shitet me 150 lekë. Por grosistët shprehen, me çmimet e larta, nuk ka se si të mos preket tregu ynë, aq më tepër se importi siguron mbi 70% të nevojave të vendit, ndërsa nafta vendase përdoret kryesisht për mjete të transportit të tonazhit të rëndë. Për sa i përket parashikimeve, analistët janë të ndarë mes uljes dhe rritjes së mëtejshme të çmimeve. Sipas një sondazhi të organizuar nga "Associated Press", pak ditë më parë, një pjesë e analistëve pretendojnë një ulje të çmimit të naftës në 65-70 USD/fuçia, duke e argumentuar me një rritje të ofertës dhe ulje të kërkesës, ndërsa pjesa tjetër e analistëve të fushës pohojnë pa frikë se vlera e "arit të zi" mund të prekë shifrën e 120 USD/fuçia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›