Martanesh, minatori nuk ishte i siguruar
Në fshatin Gjon të Komunës Martanesh, në rrethin e Bulqizës, qindra banorë të këtij fshati, minatorë dhe të afërm, kanë përcjellë për në banesën e fundit minatorin e vrarë gjatë punës, në një nga galeritë e sektorit të Theknës, të ish-minierës së Batrës. Gjatë gjithë ditës së djeshme, që në orët e para të mëngjesit, shokë, minatorë të të ndjerit, të afërt, miq, burra e gra të veshura në të zeza, kanë ngushëlluar familjarët e viktimës. Në orën 14:00 është zhvilluar ceremonia mortore e varrimit, ku arkivoli me trupin e të ndjerit, i mbajtur në krah nga shokët e tij minatorë, është përcjellë për në banesën e fundit, varrezat e fshatit. Mbyllet kështu para kohe jeta e 38-vjeçarit Përparim Haslika, duke lënë në pikëllim të thellë familjarët e tij, katër fëmijët, bashkëshorten dhe dy prindërit e tij. Përveç hidhërimit për humbjen e njeriut të tyre të dashur, familjes Haslika, në fshatin Gjon të Martaneshit, do t‘i duhet të përballojë edhe kushtet e vështira ekonomike të jetesës. Kjo familje humbi shtyllën e shtëpisë, thonë mjaft nga pjesëmarrësit në funeral, pasi ai ishte i vetmi i kësaj familjeje në marrëdhënie pune. Në përgjithësi zona e Martaneshit është tepër malore dhe e varfër. I vetmi burim jetese për banorët e kësaj komune është nxjerrja e mineralit të kromit nga galeritë, që aktualisht janë të privatizuara, ku numërohen mbi 40 subjekte private që shfrytëzojnë kromin e këtyre galerive. Pikërisht në një nga këto galeri, në sektorin e Theknës, punonte edhe i ndjeri, 38-vjeçari Përparim Haslika. Kjo, për faktin se 38-vjeçari rezulton të ketë punuar në galeri, pronë e firmës "Ervini", me administrator Sulejman Kurtin, në të zezë, gjë që nuk jep garanci për lidhje pensioni për fëmijët e minatorit të vrarë. Burime nga dega e sigurimeve shoqërore në Bulqizë, saktësuan për "Shqip" se firma në fjalë ka të siguruar vetëm 5 minatorë, ku emri i të ndjerit Përparim Haslika, që humbi jetën nga shembja e galerisë rreth orëve të mesditës së mërkurë, nuk ishte i regjistruar si kontribuues i derdhjes së sigurimeve shoqërore për efekt pensioni.