E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset, shkurtohen afatet e falimentimit

Bizneseve që deklarojnë bilance me humbje ose pasive për dy vjet rresht, automatikisht Ministria e Financave, me anë të strukturave tatimore, do t‘u nisë procedurën për falimentimin e subjektit. Komisioni i Ligjeve miratoi dje me shumicë votash, pas debateve të shumta, projektligjin "Për procedurat e falimentimit". Kështu, 15 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të nisë monitorimi i bilanceve që deklarohen me humbje ose pasive (pa fitim), në mënyrë që të identifikohen subjektet me probleme, të cilat nëse vazhdojnë për dy vjet me të tilla bilance, u duhet të përballen me procedurat e falimentit. Debati në komision u fokusua në nenin 4 të projektligjit, i cili i jep Ministrisë së Financave autoritetin për të nisur procedurën e falimentimit për shoqëritë tregtare. Sipas deputetëve të opozitës në komision, fillimi i këtyre procedurave është atribut ligjor i gjykatës dhe jo i tatimorëve, të cilët mund ta përdorin këtë kompetencë në kurriz të bizneseve. Sipas deputetit të PS-së, Besnik Dervishi, "para se të nisin procedurat e falimentimit, do të ishte më normale që të vërtetoheshin shkaqet që çuan subjektin me bilanc humbjeje ose pasiv. Kjo pasi askush nuk garanton se në procesin gjyqësor i fituar del shteti. Çfarë i mbetet subjektit që iu përfol emri si i falimentuar, duke i krijuar një reklamë të keqe". Por sipas Ilir Rusmalit, anëtar i mazhorancës në komision, "projektligji në fjalë nuk cenon dinjitetin e subjekteve tregtare. Ai thjesht përforcon dhe mbështet strukturat tatimore, me anë të udhëzimit të Ministrisë së Financave, për të zbatuar ligjin ashtu si duhet, duke i paraqitur më tej gjykatës të gjithë dokumentacionin e duhur, me qëllim që vendimi të jetë sa më transparent". Ish-ministri i Drejtësisë shkon më tej duke u shprehur se "në tregun tonë ekzistojnë biznese të mëdha, VIP, që për vite me radhë kanë dorëzuar bilance me humbje ose pasive, madje një shoqëri lider në treg, shumë e njohur, ka bërë një gjë të tillë për shtatë vjet rresht, dhe kjo vetëm për të mos paguar taksat". Opozita në tërësi e cilësoi ligjin si "terror ndaj biznesit, duke krijuar hapësira për klientelizëm". Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Drejtësisë, i pranishëm në komision, "shtesat dhe ndryshimet në ligj janë të domosdoshme, me ndikim të madh në eliminimin e konkurrencës së pandershme, por mbi të gjitha si rezultat i mosfunksionimit normal në praktikë të ligjit.

Procedurat

Në të dyja nenet e para të projektligjit është parashikuar shkurtimi i disa afateve procedurale, me synim që gjykimi i këtyre çështjeve në Gjykatën e Rrethit dhe në atë të Apelit të kryhen brenda 30 ditëve. Në nenin 4, ku debati u përqendrua më tepër, përcaktohet qartë se organet tatimore do fillojnë procedurën e falimentimit për shoqëritë tregtare, që nuk kanë kryer veprimtari tregtare ose kanë kaluar me status pasiv nga QKR-ja, që prej dy vitesh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nga tre që ishte në ligjin e mëparshëm. Nëse organi tatimor nuk nis procedurat brenda një periudhe prej 6 muajsh, nga momenti i konstatimit të shoqërisë së falimentuar, ministri i Financave urdhëron fillimin e procedimit disiplinor ndaj punonjësve tatimorë. Tjetër e re në ligj lidhet me identifikimin e subjekteve në gjendje falimentimi, ku në faqen e internetit do të shpallet lista e subjekteve, për të cilat ka nisur procedura e shpalljes së falimentimit. Sanksione do të përdoren edhe ndaj ortakëve të shoqërisë, të cilët nuk kanë njoftuar brenda tre muajve nga konstatimi i paaftësisë paguese, organet tatimore, duke u gjobitur nga 200 mijë deri në 500 mijë lekë. Në ligj është kushtuar hapësirë edhe ndaj rasteve të ngjashme për biznesin e vogël tregtar, me xhiro deri në 1 milion lekë, por me procedura më të thjeshtuara.

Ligji

Projektligji "Për falimentimin" ka pësuar ndryshime pas një pune në grup mes Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë, nisur nga fakti se rastet kur kërkohej falimentimi ishin shumë të rralla, madje inekzistente. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, duhet të kishte ndodhur e kundërta, për vetë faktin se ekonomia shqiptare është e re në sistemim e sipër, që do të thotë se rastet e falimentimit duhet të kishin krijuar një praktikë të gjerë. Për hartimin e ligjit janë marrë formate të vendeve të BE-së, por edhe të rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›