E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet, qeveria të mos ndërhyjë në treg

Fondi Monetar Ndërko
mbëtar pret një rritje prej
20 përqindësh të çmimit
të energjisë elektrike. Përfaqësuesja
e përhershme e FMN-së
në Tiranë, Ann Margaret Westin,
tha se FMN-ja pret që në mars
të këtij viti autoritetet shqiptare
të vendosin një rritje prej 20
përqindësh në çmimin e energjisë
elektrike. Madje, Westin
është shprehur shumë e sigurt
se kjo do të jetë dhe masa e
rritjes së çmimit të energjisë.
Duke folur për parashikimet e
Fondit Monetar në lidhje me
inflacionin gjatë vitit të ardhshëm,
Westin tha: "Për vitin 2008
ne presim që inflacioni të jetë
pak i lartë. Ndoshta drejt nivelit
4 për qind. Dhe kjo nuk do të
jetë si pasojë e rritjes së çmimit
për ushqimet, por ajo do ta reflektojë
më shumë rritjen e
çmimit të energjisë, që ne
presim të ndodhë në mars dhe
të jetë në nivelin 20 për qind. Kjo
është një masë e domosdoshme".
Çmimet
FMN-ja është përfshirë dhe
në debatin e ndezur për rritjen
e fortë të çmimeve të produkteve
ushqimore në tregun vendas.
Ann Margaret Westin ka
përkrahur qëndrimin e qeverisë
për të mos ndërhyrë në treg,
por këmbëngul në goditjen e
spekulantëve. "Ne e mbështesim
vendimin e qeverisë për
të mos ndërhyrë në treg. Ne
mendojmë se ajo po bën gjënë
e duhur. Por, në një situatë si kjo
dalin dy detyra. E para të mbrohen
të varfrit dhe e dyta të kontrollohet
rritja spekulative e
çmimeve. Kjo, pasi rritja e çmimeve
shfrytëzohet nga disa kompani
për t‘i rritur ato edhe më
tepër, duke penalizuar kështu
konsumatorët dhe qeveria
mund të luajë një rol shumë të
madh këtu, duke e ndaluar këtë
fenomen. Por sërish më duhet
të rekomandoj të mos ndërhyhet
në treg, pasi vetë çmimet e
larta të drithërave do t‘i shtyjnë
fermerët të mbjellin më shumë
dhe për rrjedhojë çmimet do të
stabilizohen sërish", thotë Westin.
Kompensimi
Por, ndonëse ndan të njëjtin
qëndrim me qeverinë për të
mos aplikuar lehtësira fiskale,
zonja Westin propozon një
zgjidhje tjetër nga ajo që ka
lajmëruar Kryeministri Berisha.
Shefi i qeverisë deklaroi se
qeveria do të kompensojë të
gjithë rritjen e çmimeve,
ndonëse skema për këtë ende
nuk është e qartë. Por FMN-ja
kërkon që qeveria të tregohet e
kujdesshme dhe të mos kompensojë
të gjitha shtresat, por
vetëm të varfrit. Westin rekomandon
që mbështetja të
bëhet me para në dorë. "Kjo
është një goditje që i ka prekur
të gjitha shtresat. Por, qeveria
nuk mund t‘i subvencionojë të
gjithë, pasi kjo nuk do të kishte
kuptim dhe do të ishte një rrezik
i madh për buxhetin. Heqja
apo ulja e TVSH-së do të ishte e
gabuar. Ne rekomandojmë
mbështetje me para në dorë
vetëm për shtresat e varfra,
pasi ata janë më të penalizuarit
nga e gjithë kjo. Në Suedi, për
shembull, qeveria ua dërgon
njerëzve paratë e subvencionit
për raste të tilla përmes postës.
Edhe këtu mund të gjendet një
skemë e ngjashme. Por, faktori
kyç është të identifikohen ata
që janë me të vërtetë të varfër
dhe vetëm ata duhet të mbështeten
me para në dorë. Të tjerët
s‘ka pse të kompensohen", vijoi
Westin. FMN-ja paralajmëron
se viti 2008 do të vazhdojë të jetë
i vështirë për buxhetet familjare,
por kjo jo vetëm për faj të
rritjes së çmimeve të produkteve
ushqimore, por edhe për
shkak të rritjes së pritshme të
çmimit të energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›