Gjoba 10 mijë lekëshe për abuzuesit
Tatimorët vazhdojnë kontrollet
në furrat e bukës së Durrësit,
duke ndëshkuar me masa administrative
abuzuesit. 39 subjekte
janë përfshirë në sitën e kontrolleve
të tatimorëve dhe përveç
problemeve në dokumentacion
janë konstatuar edhe punonjës të
pasiguruar. Ndërkohë, dy furra
buke u është pezulluar aktiviteti,
pasi e ushtronin veprimtarinë pa
qenë të licencuara. Ndryshe nga
të tjera qytete në vend, në Durrës
çmimi i bukës nuk është ngritur,
ndërsa kanë pësuar një rritje të
ndjeshme artikujt e tjerë bazë ushqimorë.
Kreu i degës së tatim-taksave
të Durrësit, Agron Kaja, tha
për gazetën se situata e çmimit të
bukës në qytet dhe fshatrat e Durrësit
është nën kontroll dhe nuk
janë konstatuar ngritje të çmimit
të saj. Subjektet që kishin nisur të
spekulonin me vlerën e bukës
janë tërhequr përballë kontrolleve
të vazhdueshme të ushtruara mbi
to. Puna e inspektorëve të tatimtaksave,
e nisur ditë më parë, është
mbështetur në një urdhër të përbashkët
të Ministrisë së Bujqësisë
dhe Ushqimit, asaj të Tregtisë,
Shëndetësisë dhe Financave. Në
bazë të këtij urdhri dikasterial janë
ngritur menjëherë grupet e kontrollit,
të cilat kanë dalë në terren
për të mbikëqyrur nga afër subjektet
e prodhimit dhe tregtimit të
bukës në drejtim të zbatimit të
procedurave ligjore. Kontrollet
janë përqendruar në dokumentacionin
e subjekteve, përfshirë rezultatet
e analizave për cilësinë e
bukës së prodhuar dhe miellit të
përdorur, çmimit të ofruar për
blerësit, sasisë së bukës, por edhe
kushteve higjieno-sanitare, në të
cilat prodhohet buka. Nga 39 furrat
e kontrolluara në Durrës dhe
jashtë tij, nëntë prej tyre janë gjobitur
për shkak të parregullsive të
gjetura në to, përfshi këtu dhe favorizimin
e punës së zezë prej tyre.
Sipas Kajës, gjatë kontrolleve u
gjetën 12 punonjës të pasiguruar.
Përveç pasigurimit të punonjësve
në subjektet e ndëshkuara janë
konstatuar parregullsi në ndjekjen
e procedurave ligjore për
ushtrimin e aktivitetit. Dy prej tyre,
në zonën e Manzës funksiononin
pa qenë të pajisura me dokumentacionin
përkatës, si dhe nuk i
plotësonin kushtet higjieno-sanitare.
Këtyre dy subjekteve iu
mbyll aktiviteti deri në licencim,
shlyerje të detyrimeve dhe
plotësim të kushteve përkatëse.
Ndërkohë, mospërputhje janë
gjetur në dokumentacionin që
shoqëron blerjen e mallit. Në këto
raste, përveç gjobitjes në masën e
10 mijë lekëve të reja për çdo subjekt,
është bërë dhe bllokimi i dokumentacionit,
i cili do t‘u nënshtrohet
verifikimeve të rrepta, ndërsa
subjektet do të detyrohen të
shlyejnë vlerat e padeklaruara në
to. Ndërkohë, një javë më parë
nisën kontrollet e inspektorëve
tatimorë, atyre të ushqimit, shëndetësisë
dhe agjentëve të policisë
së krimit ekonomiko-financiar
ndaj furrave të bukës, të cilat u
shoqëruan dhe me procedimin
penal të 5 pronarëve të tyre. Situata
e krijuar në vend, reagimet e
qytetarëve dhe së fundi dhe të
qeverisë kanë shkundur për të
bërë punën e tyre inspektorët e
organeve të ndryshme për të verifikuar
dokumentacionin, ndjekur
ecurinë e çmimeve të ofruara
për konsumatorët dhe analizuar
cilësinë e kampioneve të
bukës së prodhuar e tregtuar prej
tyre. Rritja e paralajmëruar e
çmimit të bukës përmes spekulimeve
në tregun vendas kanë
nxjerrë në pah domosdoshmërinë
e kontrollit ndaj subjekteve
që veprojnë në këtë treg,
ndërkohë që ky kontroll duhet të
jetë pjesë e përditshmërisë së
punës së inspektorëve.
Gjatë kontrollit të kryer një
javë më parë në 15 furra u konstatua
se vetëm njëra prej furrave
ishte e licencuar dhe e kryente aktivitetin
e saj kundrejt të gjitha
rregullave, duke plotësuar dhe
kushtet e kërkuara të punës. Të
tjerat ishin me mangësi. Ky kontroll
nxori në pah kushtet aspak të
mira në të cilat prodhohet buka
në shumë prej furrave të inspektuara.
Përtej mungesës së dokumentacionit
dhe mosshlyerjes së
detyrimeve që kanë ndaj shtetit si
biznese, këto subjekte prodhojnë
dhe tregtojnë bukë në kushte jo të
përshtatshme higjieno-sanitare.
Ndërkohë, në kushtet e një
konkurrence të ashpër dhe
shpesh jo të drejtë, është vënë re
se disa prej furrave të bukës e kanë
mbyllur aktivitetin e tyre, duke
mos e përballuar dot këtë konkurrencë
në treg.